Strukturat paralele në Kosovë pengojnë integrimin e serbëve

Strukturat paralele në Kosovë pengojnë integrimin e serbëve

Në një bisedë për «Zërin e Amerikës», Janjiq theksoi nevojën e bashkëpunimit më të madh të institucioneve të Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për themelimin e komunave të reja me shumicë serbe në mënyrë që qytetarët serb, siç thotë ai, të kenë arsye të ndjejnë më pak trysninë që u bëhet nga Beogradi. «Ky është një nga problemet më serioze sepse ekzistojnë institucionet paralele të cilat financohen dhe mbështeten nga Beogradi dhe ato institucione ndjekin rrugën e ndarjes në vija etnike. Kjo paraqet një pengesë për integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës», ka thënë ai. Një problem tjetër – sipas Janjiqit – është edhe përvoja e ndërsjellë e njerëzve në nivel lokal, pra frika e tyre, «apo siç e thonë serbët siguria e tyre», dhe i vetmi ilaç që mund t’i gjejë zgjidhje këtij problemi – sipas tij – «është që institucionet të kenë një strategji dhe të ndjekin udhëzimet për sundimin e ligjit dhe kthimin e pronave». Sipas Janiqit, serbët të cilët kanë vendosur të rrinë në Kosovë me kohë do ta ndjejnë nevojën për tu integruar dhe për t’iu drejtuar institucioneve të Kosovës. Ai tërheq vërejtjen edhe në marrëdhëniet jo të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e të cilat sipas tij, ndikojnë edhe në integrimin e komunitetit serb. «Beogradi dhe Prishtina kanë një problem të mëhershëm. Beogradi nuk e njeh Prishtinën si kryeqytet të pushtetit të pavarur në Kosovë. Është shumë e vështirë që të parashikohet nëse Beogradi do të ndryshojë bojkotimin ndaj Prishtinës si kryeqytet i një shteti të pavarur. Këtu mendoj se mund të ndihmojë Bashkimi Evropian duke filluar me bisedime të veçanta me Beogradin në mënyrë që të flitet për një marrëveshje mbi bashkëpunimin për zbatimin e statusit aktual të Kosovës dhe nëpërmjet EULEX-it t’i ndihmojë Prishtinës që të zhvillojë një program serioz për integrimin e serbëve në Kosovë», tha ai. /VoA/