Biden nuk dëshiron të takojë Jeremiqin

Biden nuk dëshiron të takojë Jeremiqin

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Beograd do të takohet vetëm me presidentin e Serbisë Boris Tadiq dhe me ministrin e Mbrojtjes Dragan Shutanovac, ndërsa do të shmang takimin me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, bën të ditur e përditshmja Borba duke u thirrur në burime të saj. Sipas kësaj të përditshmeje – për Jeremiqin historia po përsëritet, sepse njësoj ka ngjarë edhe gjatë vizitës së kryeministrit kroat Ivo Sanader në Beograd, i cili kohë më parë kishte pranuar të vinte për vizitë në kryeqytetin serb, por me kusht të mos e takonte Jeremiqin, të cilin e kishte cilësuar si përgjegjësin kryesor për përkeqësimin e raporteve mes dy vendeve që kur Kroacia kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Një kërkesë e tillë ishte pranuar nga Tadiq, ndërsa vizita ishte caktuar në një datë kur Jeremiq duhej të qëndronte për vizitë në Turqi. Kjo gazetë po ashtu kujton një skandal, të cilin e kishte shkaktuar Jeremiq në fund të muajit prill gjatë vizitës së tij në Washington, kur kishte gënjyer se e kishte takuar këshilltarin e nënpresidentit amerikan Biden, Anthony Blinken. Kjo gazetë kishte raportuar se Jeremiq – me kërkesë të tij – kishte shkuar në Shtëpinë e Bardhë për të takuar këshilltarin e Bidenit. Jeremiq kishte pritur gjysmë ore në korridorin e Shtëpisë së Bardhë derisa nuk ishte paraqitur shefi i kabinetit të këshilltarit Blinken – i cili shefit të diplomacisë serbe ia kishte dhënë në telefon Blinkenin, që kishte kërkuar falje se nuk mund të vinte në takim. Megjithatë, Jeremiq pas kësaj ngjarjeje kishte dalë para mediave dhe kishte thënë se ka takuar Blinkenin – ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ishte lëshuar një komunikatë për këtë takim. Siç shkruan kjo gazetë duke u thirrur në burime pranë Presidencës serbe, menjëherë pas botimit të tekstit për skandalin të cilin e kishte shkaktuar Jeremiq, Tadiq kishte kërkuar deklaratë nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë rreth kësaj ngjarjeje – dhe Jeremiq kishte pohuar se nuk ka pasur kurrfarë takimi. Kjo ngjarje ka mbushur kupën – dhe Jeremiq – siç konstaton kjo gazetë, nuk do ta shohë Bidenin në Beograd, që do të jetë edhe një shuplakë për shefin e diplomacisë serbe. /telegrafi/