Plani për “izolimin” e shqiptarëve?

Anashkalimi nga procesi i heqjes së vizave i Kosovës dhe Shqipërisë nga ana e Bashkimit Evropian ka shtuar zërat për mundësinë e një fushate të gjerë të Beogradit dhe Shkupit për izolimin e shqiptarëve dhe për krijimin e krizave të brendshme politike në këto dy vende. Krejt kjo me qëllim të rrënimit të imazhit para bashkësisë ndërkombëtare. Kjo gjë konfirmohet nga burime diplomatike evroperëndimore dhe nga qarqe analitike shqiptare në Tiranë. Plani në fjalë cilësohet si një plan sekret, megjithëse ai konfirmohet nga Instituti i Prognozave Rajonale në Tiranë. Plani buron drejtpërdrejt nga autoritetet serbe, ndërkohë që një mbështetje e vazhdueshme kërkohet edhe nga Shkupi, në forma të ndryshme diplomatike dhe private në niveleve institucionale. Drejtori i Institutit të Prognozave Rajonale, dr. Koço Danaj konfirmon praninë e kësaj fushate e cila po përgatitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Kemi të bëjmë me një ofensivë të lobit proserb në BE, me Solana, Barrot etj, të cilët nuk mund t’ia falin shqiptarëve proamerikanizmin e tyre, ashtu siç nuk mund t’ua falin amerikanëve bombardimin ndaj ish-miqve të tyre. E duke mos qenë të zotë që të përballen me SHBA, ata në mënyrë tinëzare iu hakmorën shqiptarëve”, ka theksuar për ‘24 Orë’, eksperti i çështjeve gjeostrategjike politike, Koço Danaj.Sipas tij, kohëve të fundit po bëhet një ringjallje e pansllavizmit në rajon kundër shqiptarëve. “Serbia dhe Maqedonia mund të grinden me njëra-tjetrën, por përballë shqiptarëve janë një. I harrojnë grindjet dhe bashkohen kundër shqiptarëve. Kjo është tabloja reale e mosheqjes së vizave për Shqipërinë apo Kosovën. Në këto kushte, për shqiptarët dhe politikanët shqiptarë me mentalitet përparimtar është vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar në një shtet të quajtur Shqipëri Natyrale”, ka theksuar Danaj, duke shtuar se tashmë është radha e shqiptarëve, sepse ata e kanë në dorë që me mjete demokratike ta sjellin BE në Tiranë, Shkup, Prishtinë, etj.Diplomatja dhe deputetja e Parlamentit të Kosovës, Edita Tahiri, ka theksuar për ‘24 Orë’, se nuk e përjashton mundësinë e krijimit të pengesave për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, për sa i përket vendosjes së vizave.“Sa i përket vendimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, nëse kjo shikohet nga ana ligjore, sigurisht se mund të krijohen pengesa për qytetarët e këtyre dy shteteve, të cilëve do t’iu duhen viza për hyrje në Maqedoni. Por, prapëseprapë unë mendoj se do të gjendet një zgjidhje politike, dhe se s’do të ketë pengesa për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Në të kundërtën, nëse kjo nuk arrihet, atëherë do të ballafaqohemi me disa ndarje të reja, ndoshta të përkohshme në Ballkan, por edhe me krizë të thellë politike”, ka theksuar Tahiri. Sipas saj, liberalizimi i vizave për Maqedoninë është një lajm i mirë, megjithëse me Serbinë është vepruar gabimisht, pasi që ky vend nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe nuk ka krijuar atmosferë të mirë politike në rajon. Kjo, ngase sipas saj, edhe pse Serbia njihet si një vend agresor në kohën e ish-Jugosllavisë, asaj tani i janë hapur dyert për në Evropë.Ndërkaq, Osman Kadriu, ekspert i çështjeve juridike nga Shkupi, nuk mendon se do të ketë pengesa të këtij lloji, gjegjësisht izolim ose vendosje vizash nga ana e Serbisë dhe Maqedonisë për shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë.“Në fazën e parë të liberalizimit i patëm tri shtete, ndërsa tani presim që në fazën e dytë të ndodhë liberalizimi edhe për Shqipërinë. Më problematike do të jetë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, për shkak të pengesave ndërkombëtare juridike dhe politike. Kjo, për shkak se nuk është rrumbullakuar procesi i njohjeve dhe është në zhvillim e sipër procedura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, theksoi Kadriu. Megjithëse, ai nuk e përjashton mundësinë që të shfaqen pengesa të ndryshme sa i përket vështirësisë së lëvizjes së lirë mes vendeve të rajonit, për shkak të pretendimeve se disa prej tyre kinse po i përmbushin standardet evropiane