GJND: Austria mbron pavarësinë e Kosovës

Seancën e sotme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka hapur Austria, ambasadori i së cilës, Helmut Tiki, ka thënë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës është konform me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”. “E drejta ndërkombëtare nuk përmban dispozita që ndalojnë shpalljen e pavarësisë”, ka thënë përfaqësuesi austriak, për të shtuar se “shpallja e pavarësisë është bërë nga të zgjedhurit në rrugë diplomatike të Kosovës dhe jo nga institucionet e përkohshme”.Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka kontradikta ndërmjet integritetit territorial dhe shpalljes së pavarësisë. Për të ilustruar këtë, Helmut Tiki ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.“Me të drejtën ndërkombëtare nuk ndalohet dhe as sanksionohet secesioni, sepse aspekti i respektimit të integritetit territorial vlen vetëm për raportet ndërshtetërore”. Më tutje, Tiki ka konstatuar se e drejt ndërkombëtare nuk sanksionon çështjen e shpalljes së pavarësisë. “njohja e Kosovës nga 63 vende dhe vendet fqinje dëshmon se shpallja e pavarësisë ishte konform normave ndërkombëtare”.Austria ka ftuar GJND-në të konstatojë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”. Në radhët e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, gjatë ditës së sotme, u paraqitën Azerbajxhani dhe Bellorusia. Ambasadori i Azerbajxhanit, Agshin Mehdijev, tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të ketë ndikim të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas tij, shpallja e pavarësisë nuk ka qenë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. “Secesioni gjithmonë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”.Sipas tij, fakti që e drejta ndërkombëtare nuk e sanksionon çështjen e secesionit, “kjo nuk do të thotë që ajo të legjitimohet”. Më tuje përfaqësuesi i këtij vendi aziatik, me popullsi shumicë myslimane, ka kontestuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, duke konkluduar se “ajo nuk i takon çdo populli ose pakice, por vetëm disave që përmbushin disa veçori të caktuara politike”. Edhe përfaqësuesja e Bjellorusisë, vend ky që s’e ka njohur ende Kosovën e pavarur, është munduar të argumentojë se Kosova nuk e ka pasur të drejtën për të vendvendosje. “Bjellorusia respekton të drejtën e popujve për vetëvendosje, por vetëm në raste të caktuara të situatave koloniale…Në rastin e Kosovës nuk mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes që del nga pozita koloniale, sepse ajo e tillë nuk ka qenë”, ka thënë Elena Grickenko, transmeton REL. Më tutje, Grickenko ka shtuar se me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova ka gëzuar të gjitha të drejtat politike, ekonomike dhe kulturore si republikat tjera, me përjashtim të së drejtës për shkëputje.Sipas saj, GJND-ja është kompetente dhe e thirrur për të dhënë mendim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.