VLORË: ÇELET SEZONI TURISTIK

VLORË: ÇELET SEZONI TURISTIK

Në mjediset e Plazhit të Ri, i rehabilituar dhe i përshtatur për një ditë të tillë festive, u zhvillua ceremonia zyrtare, me praninë e mijra qytetarëve të të gjitha moshave, si dhe të deputetëve të Vlorës, drejtuesve të pushtetit lokal, etj.Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, u shpreh se turizmi ka njohur rritje nga viti në vit, ndërkohë që Vlora konsiderohet si kryeqendra e turizmit shqiptar. Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Edmond Leka, nënvizoi se  «Vlora ka krijuar një performancë turistike të admirueshme dhe në përputhje me standarde të përparuara». Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, dr.Sergio Strozzi, theksoi se «Vlora është një qytet ku punohet mjaft për turizmin, i cili po shndërrohet në një urë lidhëse mes dy vendeve». Ai tha se  investitorë italianë, janë të interesuar të jenë të pranishëm në këtë qytet.Në ditën e hapjes së sezonit turistik, u çel edhe Festivali Ndërkombëtar «Aulona International Folk Festival», me praninë e grupeve folklorike nga 9 vende, mes të cilave, Kosova, Kroacia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria. 300 artistët, pjesëtarë të këtyre grupeve, zhvilluan një paradë të kostumeve popullore, duke u nisur nga sheshi i Skelës deri në Plazhin e Ri, të ndjekur nga qindra qytetarë vlonjatë. Ndërkohë, në një mjedis të gjelbëruar në breg të detit, u organizua panairi i birrës, ndërsa dhjetra parashutistë nga vende të ndryshme, realizonin fluturime në kuadrin e dytë të garave «Albania open».Aktiviteti kryesor i ditës së sotme, ishte Festivali Ndërkombëtar «Aulona International Folk Festival», i cili u çel me një koncert të grupeve pjesëmarrëse në mjediset e Plazhit të Ri. Ky aktivitet, që do të zhvillohet përgjatë tre ditëve, do të vazhdojë në mbrëmje, me fazën konkurruese, në sallën e Teatrit «Petro Marko». Krahas kësaj, po zhvillohen edhe aktivitete të tjera sportive e kulturore, koncerte me praninë e këngëtarëve të muzikës së lehtë  nga rrethe të ndryshme të vendit. Ceremonitë e ditës së sotme parashikohen të mbyllen në orët e vona të mbrëmjes