Tragjedia misterioze

Tragjedia misterioze

Dy trupa të pajetë janë gjetur në lumin Tisa, i cili ndan shtetet e Serbisë dhe Hungarisë. Njëri trup është gjetur para tre ditësh në anën e shtetit serb, kurse kufoma tjetër është gjetur të enjten pasdite në bregun e të njëjtit lum, por që i takon shtetit hungarez. Por në të dy rastet, nuk dihet nëse këta trupa, u takojnë ndonjërit prej 16 personave që dyshohet se janë mbytur në natën e 15 tetorit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht këtë kufi. Derisa gjetja e trupit të pajetë në anën e serbe të lumit ende nuk është konfirmuar nga policia e Serbisë, zyrtarë të policisë së Hungarisë e pranojnë se në pjesën e tyre të territorit kanë gjetur një kufomë. «Të enjten pasdite është gjetur një trup i pajetë në bregun e lumit në anën tonë të kufirit, por detaje të tjera nuk mund të jap pasi duhet të bëhet identifikimi», thotë Szaeolcs Szendi, zëdhënës i Policisë së Hungarisë, duke mos sqaruar se çfarë gjinie ka trupi i pajetë. Ai nuk bëri të ditur emrat e të mbijetuarve, ndërkohë që konfirmon se alarmi për këtë rast është dhënë nga një person, në mëngjesin e hershëm të datës 16 tetor.
«Ai ka shkuar deri te patrulla e policisë kufitare dhe ka lajmëruar për rastin. Pas dhënies së ndihmës së parë, të tre janë dërguar në vend të sigurt. Ajo që mund të them është se nga ai moment, kërkimet nuk kanë të ndalur», thotë Szendi. Sipas këtij zyrtari, pa u konfirmuar, nuk mund të thuhet asgjë as për shtetësinë e të mbijetuarve, ashtu siç nuk mund të deklarohet as për përmasat e tragjedisë, apo nëse ajo vërtet ka ndodhur. «Policia, ushtria dhe rojet kufitare nga 16 tetori janë duke bërë kërkime të vazhdueshme. Terreni është i thyer, si dhe lumi është i ftohtë dhe i thellë. Nuk është punë e lehtë», shpjegon Szendi për Express. Ai sqaron se janë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Serbisë në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që nuk mund të thotë asgjë nëse Policia e Hungarisë i ka kërkuar ndihmë për identifikim të personave edhe Policisë së Kosovës. Pavarësisht kësaj, Policisë së Kosovës i ka mbërritur të enjten një kërkesë nga Policia e Hungarisë e cila kërkon që të bëhet identifikimi i tre personave të mbijetuar. Zyrtarë të Policisë së Kosovës konfirmojnë për Express ardhjen një kërkese të tillë dhe sqarojnë se menjëherë ajo është shpërndarë në mënyrë që të saktësohet nëse personat që e kanë deklaruar veten të mbijetuar, janë shtetas të Kosovës. «Të dhënat e dërguara janë shumë të pakta. Janë vetëm emrat që ata kanë deklaruar se i kanë dhe disa fotografi», thotë një zyrtar i policisë për Express, duke mos dashur të identifikohet me arsyetimin se kjo çështje i takon më shumë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pavarësisht kësaj, Blerim Rama, dyshohet se është personi i cili ka alarmuar për këtë ngjarje policinë hungareze, në mëngjesin e hershëm të 16 tetorit. Ai ndodhet në vend të sigurt së bashku me dy fëmijët e tij, Erildën, 3 vjeçe dhe djalin Rendin, 1 vjeç. Rama ka deklaruar se ka qenë së bashku me gruan e tij Elvira Jahaj, 23-vjeç dhe në atë varkë kanë qenë edhe rreth 15 persona të tjerë. Sipas tij, dhjetë metra pa mbërritur në breg, varka është përmbysur dhe krejt çfarë ka mundur të bëjë ai ka qenë shpëtimi i fëmijëve të tij, ndërkohë që gruan ende e konsideron të zhdukur. Për të sqaruar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur, në drejtim të autoriteteve hungareze, të enjten ka shkuar ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës konfirmuan të enjten për Express se ministri Skënder Hyseni, ka autorizuar ambasadorin që të vendosë kontakte me autoritetet hungareze. Sipas tyre, ende nuk mund të thuhet se ka ndodhur një tragjedi e tillë, derisa nuk ka asnjë të dhënë, nuk janë gjetur trupat e pajetë të personave që supozohet se janë të mbytur, varka apo shenja të tjera. «Zyrtarisht gjithçka është e pakonfirmuar. MPJ është vënë në dijeni para tre ditëve për këtë ngjarje. Kemi punuar larg opinionit që të zbulojmë të vërtetën», thotë Albana Beqiri, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. «Ambasada e Hungarisë në Prishtinë na ka informuar në rrugë zyrtare se personi që ka deklaruar si i mbijetuar është vendosur në qendrën për azil», thotë Beqiri, për Express. Derisa Policia hungareze vazhdon kërkimet për kufomat e mundshme, Policia e Kosovës ka nisur hetimet se kush është organizatori i këtij trafikimi të mundshëm ilegal me njerëz. Drejtori i Policisë së Kosovës, Shermet Ahmeti, tha se ende nuk kanë asgjë zyrtare dhe se kjo është çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke shpresuar se së bashku me policët e Hungarisë që janë me mision në EULEX, do të realizohen kontaktet e nevojshme. Në lidhje me këtë çështje, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe se në këtë drejtim është angazhuar edhe Ambasadori i Kosovës në Vjenë. «Do të bëhet krejt çka është e mundshme që të ndriçohet fati i këtyre qytetarëve», ka thënë presidenti Sejdiu. Policia e Serbisë Policia në qytetin Kikinda të Serbisë ka deklaruar se disa njerëz janë mbytur në territorin hungarez, në përpjekje për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve B92, kjo është konfirmuar me 18 tetor, kur peshkatarët pranë Martonos, kanë gjetur trupin e një gruaje më të re se rreth tridhjetë vjeç, e cila supozohet të jetë një prej viktimave të kësaj tragjedie. /gazeta express/