MPJ: Brahim Koci, viktima e parë e tragjedisë?

MPJ: Brahim Koci, viktima e parë e tragjedisë?

Ky është informacioni i fundit që Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka siguruar nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita. Është Zenun Koci, vëllai i Brahim Kocit, ai i cili ka informuar ambasadorin Mirdita se autoritetet hungareze e kanë kontaktuar atë duke i kërkuar që të udhëtojë drejt Hungarisë për të identifikuar një person.Aktualisht Zenun Koci është nisur drejt Hungarisë dhe është rrugës në drejtim të qytetit të vogël hungarez ku mendohet se ka ndodhur tragjedia. Ai është ftuar për të parë një kufomë pasi policia hungareze, në rrobat e trupit të pajetë, që mendohet se i përket Brahim Kocit, ka gjetur një letërnjoftim me këtë emër e mbiemër.Megjithatë, zyrtarë të MPJ-së në Prishtinë tregojnë se këto informacione ende janë të pakonfirmuara zyrtarisht pasi ende autoritetet hungareze nuk i kanë njoftuar me të dhëna zyrtare. “MPJ-ja nuk mund të japë ndonjë konfirmim zyrtar se ka ndodhur një tragjedi e tillë siç thuhet në media, pa marrë njoftimet zyrtare nga autoritetet hungareze”, thotë Albana Beqiri, zyrtare e lartë në këtë ministri.“Ne nuk mund të shpallim njerëz të vdekur pa konfirmim zyrtar”, tha ajo para pak çasteve në konferencën e jashtëzakonshme për media. Ajo sqaroi se ditëve të fundit shumë qytetarë të Kosovës u janë drejtuar ambasadave të republikës së Kosovës nëpër disa shtete të Evropës duke kërkuar të afërmit e tyre të cilët mendojnë se janë nisur në këtë rrugë.“Lusim cdo qytetar të Kosovës që ka informacione se në këtë rrugë janë nisur të afërmit e tyre, të lajmërojnë Policine e Kosovës apo ambasadat tona në shtetet përkatëse”, apeloi beqiri, pa saktësuar se sa është numri i atyre qytetarëve të cilët deri më tash kanë kërkuar informacione për të afërmit e tyre.“Këto të dhëna ende janë duke u përpunuar”, u shpreh ajo. Gjendet kufoma e tretë në «Tragjedinë Tisa»Gjendet edhe trupi i tretë i pajetë në lumin Tisa që ndan shtetet e Serbisë dhe Hungarisë.Trupi i pajetë që është gjetur vetëm disa minuta më parë i takon një gruaje dhe është zbuluar nga polumbarët serbë.Me këtë gjetje, numri i personave që dyshohet se janë mbytur në përpjekje për të kaluar kufirin serbo-hungarez, shkon në tre. Express ka kontaktuar para pak çasteve me zyrtarë të policisë hungareze të cilët sqarojnë se trupi i pajetë i gjetur dje nga polumbarët e tyre i takon një mashkulli, që dyshohet të jetë kosovar, rreth të njëzetave. “Jam këtu hipur në degën e një lisi vetëm dy metra mbi ujë dhe jemi në pritje të kthimit të zhytësve nëse ata do të gjejnë ndonjë trup tjetër”, thotë Szaeolcs Szendi, zëdhënës i Policisë së Hungarsië.Sipas tij, për gjetjen e një trupi të tretë të pajetë, ata janë njoftuar nga zyrtarët serbë të policisë, të cilët kanë deklaruara se do të bëjnë përpjekje për identifikimin e atij trupi dhe gjetjes të të afërmeve të tij. “Pra ne, policia hungareze kemi gjetur dje një trup të pajetë të një mashkulli, kurse policia serbe ka gjetur dy kufoma femra”, thotë Szendi për Express.I pyetur nëse Policia e Hungarisë ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës për identifikimin e gjashtë personave, emrat e të cilëve i ka dhënë i mbijetuari Blerim Rama, ky zyrtar nuk ishte në gjendje ta konfirmojë këtë informacion.“Nuk e di për këtë. Por çka mund t’iu them është se ne kemi bashkëpunim me Policinë e Serbisë për këtë çështje”, thotë zyrtari i policisë hungareze.Konferenca për media e paralajmëruar nga Policia e Kosovës për në orën 15 e 30 minuta nuk do të mbahet. Zyrtarë të Policisë sqarojnë se konferencën për media do ta mbajnë vetëm zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në të njëjtën orë.Ndërkohë, sipas zyrtarëve për informim, gazetarët janë të lirë të pyesin për informacione që mendojnë se kanë nevojë, edhe Policinë e Kosovës. “Lidhur me rastin e hamendësuar në lumin Tisa, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës do të ketë një konferencë për shtyp, ku do të njoftojë opinionin me zhvillimet më të reja rreth kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.Deri më tani nuk ka pasur asnjë informacion nga policia kosovare apo MPJ-ja se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në këtë rast.