Ferrari do të tërhiqet nga Formula 1

Ferrari do të tërhiqet nga Formula 1

Ferrari do të largohet nga Formula 1 në fund të sezonit, nëse sporti aprovon kufizimet buxhetore për vitin 2010, ka paralajmëruar bordi i kompanisë italiane.“Nuk do të garojmë në Formula 1 më 2010 nëse rregullat ndryshohen. Ferrari konfirmon qëndrimin e tij rreth rregullave të reja të propozuara nga FIA dhe nuk planifikon të regjistrojë bolidët për kampionatin e vitit 2010”, thuhet në një komunikatë të ekipit pas një takimi në qendrën e tyre në Maranello. Toyota dhe Red Bull po ashtu kanë kërcënuar të mos garojnë në kampionatin e vitit të ardhshëm nëse aprovohen rregullat e reja nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit. FIA, e udhëhequr nga Max Mosley, dëshiron që nga viti i ardhshëm të krijojë buxhet të kufizuar prej 40 milionë funta në mënyrë që të joshë inkuadrimin e ekipeve të reja. Plani do t’u lejojë ekipeve të operojnë më tepër në liri teknike në vend se të kenë buxhet të pakufizuar. FIA ka vendosur afat deri më 29 maj për ekipet që dëshirojnë të garojnë më 2010.