Fabio Cannavaro është rikthyer zyrtarisht në Juventus. Shoqëria Bianconere në fakt, të martën e ka nënshkruar kontratën njëvjeçare me futbollistin, i cili do ta përfundojë sezonin me Real Madrid. Kapiteni i Kombëtares italiane, të hënën mori pjesë ne ndeshjen bamirëse që u zhvillua të hënën në Torino, “Partita del Cuore”. Ai e shfaqi gëzimin e tij për marrëveshjen e arritur. “Jam i lumtur që jam rikthyer dhe që do ta kem mundësinë që sërish ta vesh fanellën Bianconere. Më vjen keq që njëra pjesë e tifozerisë vazhdon të kundërshtojë dhe t’i harrojë sezonet e arta që i kemi kaluar së bashku. Jam i bindur se do t’i bindi edhe skeptikët më të mëdhenj me punën që do ta bëj. Profesionalizmi është pasion me të cilin do ta ballafaqoj këtë aventurë të re”, u shpreh mbrojtësi italian. Për drejtorin sportiv Alessio Secco, bëhet fjalë për një përforcim interesant për sezonin e ardhshëm. “Fabio është kampion i botës, Top i Artë dhe njeri shumë i mirë. Gjatë verës së vitit 2006, klubi ishte detyruar ta shiste për t’u përballur urgjentisht me krizën ekonomike brenda shoqërisë. Këtë vit e kemi shfrytëzuar skadimin e kontratës së Cannavaros, për ta sjellë në Torino dhe jemi të sigurt se kontributi i tij do ta bëjë Juventusin më kualitativ”, deklaroi Secco.