Rasti ka ndodhur në fshatin Mollopolc të komunës së Shtimes, ditën e martë, rreth orës 16.45 minuta. Për këtë rast është njoftuar policia në stacionin e Shtimes dhe menjëherë ka dalë në vend të ngjarjes. Ata kanë konstatuar se në oborrin e xhamisë së fshatit, nga katër persona është sulmuar B:R. 23 vjeç, të cilit, sipas policisë, i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Drejtori rajonal i policisë në Ferizaj, me t’u njoftuar se në këtë rrahje janë involvuar edhe dy pjesët arë të policisë, në bazë të ligjit dhe kompetencave, ka marrë vendimin për suspendimin e tyre me pagesë. Ndaj dy policëve të involvuar në rrahjen e hoxhës është ngritur procedurë disiplinore dhe lënda për ta do t’i dërgohet Inspektoratit Policor për hetim të mëtejshëm. Me rastin është njoftuar edhe prokurori komunal. Me urdhrin e tij, personat e involvuar në këtë rrahje janë shoqëruar në polici. Pas intervistimit të tyre, prokuroi ka dhënë urdhrin e ndalimit për R.S. 36 vjeç dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Tre të tjerët janë liruar, ndërsa lënda për ta do të procedohet në mënyrë të rregullt. Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi rajonal i policisë në Ferizaj, rreshteri Behxhet Krasniqi, i cili nuk ka treguar identitetin e viktimës dhe as të personave që e kanë shkaktuar këtë rrahje, sikundër as motivit për këtë. Burime të sigurta nga policia thonë se viktimë e këtij rasti është hoxha i xhamisë së fshatit Mollopolc. Sipas këtyre burimeve, deri rrahja ka ndodhur pas një zënke të hoxhës me një fëmijë të familjes së dy policëve vëllezër, që ndodheshin jashtë detyrës atë çast.