Njëra ndër aktorët që ju bën të qeshni në çdo të hënë është edhe karakteri i Sarandës që luhet nga aktorja Teuta Krasniqi. E qetë dhe shumë e hapur, Teuta tregon historinë e këtij karakteri, flet shumë pak për jetën private, por nuk heziton të tregon për shkrimtarët e saj të preferuar. Express Online: Keni një personazh shumë interesant në Kafenenë Tonë! Si e përshkruani ju karakterin e juaj në këtë Tv Serial?Teuta: Saranda është vajzë e këndshme, argëtuese dhe deri në ekstrem naive. Thënë të vërtetën kënaqëm më të dhe për ato pak orë prova dhe xhirime relaksohem nga mënyra e të menduarit dhe të shprehurit të saj, hahaha…Express Online: Tashmë bëhen disa vite që jeni në këtë serial. Si kaloni me kolegët?Teuta: Me gjithë koleget e kaloj shumë mirë, po bëhen pesë vite që ekziston seriali dhe ne gati për çdo ditë jemi bashkë në prova dhe xhirime saqë na është bërë si një familje e dytë ai ambient. Duke pasur respekt e mirëkuptim reciprok besoj se kemi arritur ta mbajmë kaq gjatë serialin në formë.Express Online: Sa ju mundojnë xhirimet? Apo është kënaqësi kur filloni të xhironi?Teuta: Gjithsesi që është kënaqësi të punosh në profesionin që e donë por natyrisht që ka edhe shumë lodhje. I gjithë ekipi e konsiderojmë si punë primare serialin dhe mundohemi që gjitha punët tjera t’i koordinojmë në atë mënyrë që mos t’i pengojmë procesit të zakonshëm në serial. Gjithsesi kënaqësia është në dozë me të madhe se sa vet lodhja.Express Online: Kush është ai që ju bën më së shumti të qeshni gjatë xhirimeve të serialit?Teuta: Shumë shpesh na ndodh të qeshim gjatë xhirimeve dhe nganjëherë batutat me interesante dinë të ndodhin spontanisht pikërisht nga ato të qeshura të cilat pastaj i shfrytëzojmë edhe në episode. Na ndodh secilit me secilin dhe krejt ky proces edhe pse e ndërprenë xhirimin megjithatë është një lloj freskie për xhirim.Express Online: Më parë edhe keni kënduar. A dëshironi prapë t’i ktheheni muzikës apo këtë ia keni lënë motrës tuaj?Teuta: Në fakt gjithmonë e kam cekur se asnjëherë nuk kam pasur ambicie të bëhem këngëtare. Kam kënduar disa here por gjitha këngët e mia kanë qenë të lidhura me moderim ose me shfaqje që e kam konsideruar si një pasurim te prezantimeve të mia edhe pse insistimet për të vazhduar unë me muzikë kanë qenë të shumta. Unë them që dua të bej atë që di më së miri, aktrimin dhe moderimin, ndërsa do të këndoj vetëm atëherë kur mendoj që e plotëson një rol apo prezentim timin ose,ose po të kem ndonjë ofertë interesante për duet, nuk i dihet. E sa i përket motrës nuk ja kam lënë unë muzikën por ajo është e bekuar me këtë talent dhe e donë jashtëzakonisht shumë muzikën e unë mundohem t’ia ofroj përkrahjen time maksimale në çdo aspekt.Express Online: Si aktore, çfarë mendoni për estradën? Sa janë ata «in»?Teuta: Nuk mendoj që me një fjali mund te jap mendim për një komunitet të tërë siç është estrada. Ka shumë prej tyre që me pëlqejnë, dikush për stilin dikush për vokalin, ka edhe prej tyre që mendoj se kanë nevojë për këshilla por assesi nuk mund ta përgjithësoj mendimin sepse gjithçka është individuale dhe nuk ka mundësi që mos të pëlqehen apo lavdërohen të gjithë duke zgjedhur si përfaqësues një të pëlqyer ose një më pak të pëlqyer. Shija është çështje që nuk diskutohet dhe gjykimi asnjëherë nuk mund të jetë objektiv.Express Online: Ka thashetheme që keni filluar një lidhje të re me Bleron…A është e vërtet apo vetëm fjalë sokaku?Teuta: Nuk preferoj shumë që të flas për jetën time private. Krejt çka mund të them është se ndihem shumë mirë me jetën time private dhe kur e konsideroj se ka ardhur koha për të thënë diçka më shumë, do të jap përgjigje më të plotë.Express Online: Shumë njerëz pyesin për pijen tende të preferuar. Cila është ajo?Teuta: Mbase do t’ju duket fëmijërore por unë pi shumë qumësht dhe ujë, kur them shumë, vërtetë mendoj shumë…Express Online: Cili është karakteri i juaj në jetën e përditshme? Jeni agresive, e qetë apo….Teuta: Është e pamundur të jem objektive nëse do ta përshkruaj vetën por po mundohem me disa fjalë. Nuk jam as agresive as shumë e qetë, nganjëherë jam më impulsive se sa që duhet por asnjëherë nuk ja cenoj tjetrit territorin e vet nga dëshirat apo nevojat e mia. Jam mjafte komunikative dhe e afërt me njerëz. Ajo qe çmoj të vetja është se nuk i gjykoj të tjerët asnjëherë, mundohem t’i kuptoj dhe pranoj ashtu siç janë, më të mirat e me të metat e tyre.Express Online: Cila është dieta e juaj e preferuar?Teuta: Kurrë nuk kam mbajtur dietë dhe shpresoj që mos ta kem të domosdoshme ndonjëherë të kem nevoje për dietë sepse do ta kisha shumë të vështirë. Unë ha shumë ëmbëlsira dhe kam përshtypjen se organizmi im ka fituar imunitet në këtë drejtim dhe nuk ndikojnë aspak në peshën time. Shpresoj se nuk do të kem nevojë që të heq dorë nga to.Express Online: Cilin filozof e pëlqeni dhe pse?Teuta: Në fakt, në kohën kur njerëzve në një moshë të caktuar, ju shfaqën preferencat ose interesi për të qenë më studioz në një fushë të caktuar, pikërisht në atë kohë Letërsia ishte ajo që më bëri për vete më shumë se Filozofia apo ndonjë lëmi tjetër..Por,sigurisht që edhe unë e kam të preferuarin tim, ai është Sokrati, për faktin që njihet si babai i filozofisë morale dhe të përgjithshme. Mendoj që para thënieve të tij filozofike, asnjë njeri nuk mund të qëndroj gjakftohte!Express Online: Cilin shkrimtar e pëlqeni dhe pse?Teuta: Ne galerinë time kam tre shkrimtar të preferuar: Gabriel Garsia Marquez, Paolo Coelho dhe Khaled Hosseini. Që të tre ende jetojnë, që të tre trajtojnë tema aktuale dhe njerëzorë, flasin për fate të ndryshme ku domosdoshmërish çdo lexues e bëjnë për vete dhe e pasurojnë bagazhin e tyre intelektual dhe emocional. Unë thjesht inspirohem nga këta tre shkrimtare.Express Online: Në fund na flisni diçka për planet në të ardhmen… Në cilat shfaqje apo filma, seriale je e angazhuar?…Teuta: Përveç punës në serial, sezoni i të cilit është nga fundi, jam duke punuar intensivisht në projektin tim. Fjala është për një cikël emisionesh që së shpejti do të transmetohet në RTK. Do të jetë ky një emision me karakter humanitar të cilin e kam shumë për zemër. Aktualisht jam edhe bashkë-producent e serialit vendor Spitaliks. Po ashtu, luaj ne shfaqjen “Kuzhina e viktimave”, e cila është në repertorin e teatrit Dodona. Kam shumë angazhime njëkohësisht dhe shumë plane sa që nuk do ta kem as një javë pushim gjate verës por më të rëndësishmin tani e kam projektin tim për të cilin shpresoj dhe besoj shumë se do të mirëpritet nga shikuesit. Faleminderit.