Thaçi: Salihu mund ta ndryshojë Prishtinën

Thaçi: Salihu mund ta ndryshojë Prishtinën

Në konventën kryesore, të mbajtur të enjten në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në të cilën u bë prezantimi i kandidatit për kryetar të Prishtinës, Astrit Salihu dhe kandidatëve për asamblenë e re komunale, krerët e PDK-së kanë shprehur bindjen për fitore të thellë, duke theksuar se Prishtinës i duhet ndryshimi, raporton KosovaPress. “Kryeqytetit i nevojitet Astrit Salihu. Prishtina sot është në kaos të vërtetë. Prishtina tash e dy vjet vendnumëron. Prishtina është shndërruar në kryeqytetin më të ndotur në Evropë. Prishtinës i mungon qeverisja e mirë, i mungon vizioni. Prishtinës i duhet një kryetar dhe menaxher i mirë. Kosova ka ecur shumë, Prishtina ka ngecë. Prishtinës i duhet ndryshimi dhe tani ne kemi një kandidat që mund ta ndryshojë atë e ai do ta ketë përkrahje e plotë”, është shprehur kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër i vendit. Për kandidatin Astrit Salihu, Thaçi shprehu bindjen se i njeh më së miri problemet, nevojat dhe kërkesat e njerëzve të Prishtinës. Thaçi përmendi si të arritura të qeverisjes gjatë mandatit të tij, shpalljen e pavarësisë, ndërtimin e shkollave, ngritjen e pagave të arsimtarëve, ndërtimin e rrugëve anekënd Kosovës etj. Por ai theksoi se për të qenë qeveria më e suksesshme, duhet të ketë partnerë në qeverisjen lokale. Ndërsa, kandidati i PDK-së për kreun e kryeqytetit, Astrit Salihu, në fjalën e tij ka përsëritur disa herë se ai është qytetar i Prishtinës dhe se bashkëjeton me problemet e Prishtinës, andaj ai ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për ndryshime. Ai ka premtuar se do të jetë zëri i qytetarëve të Kosovës, duke iu drejtuar masës me fjalët: “Kurrë, kurrë, kurrë më nuk do të jeni të injoruar si deri tani”. “Ashtu sikurse ju edhe unë jam i zhgënjyer me atë çfarë i ka ndodhur Prishtinës. Mbeturinat në rrugë, trafiku i bllokuar, parkingjet mungojnë dhe nuk ka vende të punës. Rrugët gjithandej janë të papastra. Pse nuk mund t’i pastrojmë? Kjo duhet të ndodhë. Pse nuk mund të parkojmë askund, pse nuk mund të kemi shëtitore dhe trotuare? Kjo është diçka që Prishtina patjetër duhet ta ketë. Dhe më e rëndësishmja, njerëzit tanë duhet të kenë punë dhe të ardhura më të mira”, ka thënë Salihu, transmeton KosovaPress.