Thaçi: Riformatizim po, zgjedhje të parakohshme jo

Thaçi: Riformatizim po, zgjedhje të parakohshme jo

Numri një i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi i bëri këto deklarata në mbledhjen e fundit të Qeverisë mbajtur të mërkurën, vetëm dy ditë para se të nis viti i ri. Kabineti Qeveritar miratoi sot Planin njëvjeçar të punës si dhe miratoi Strategjinë legjislative për vitin 2010, me një pako prej dhjetëra lidhesh. Duke e vlerësuar vitin 2009 shumë të suksesshëm, kryeministri Thaçi premtoi se elani i punës të Qeverisë do të jetë edhe më i fuqishëm në vitin 2010, kryesisht në zhvillimin ekonomik e ligjor të shtetit dhe në rrugën e integrimit euroatlantik. Ndërkaq as sot, kryeministri nuk e mohoi qëndrimin e tij për riformatizim të qeverisë në vitin 2010. «Do të jetë vit i fuqizimit të institucioneve të republikës së Kosovës dhe do të respektohet kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Kosova ka institucionet më stabile në rajon dhe më funksionale», u shpreh kryeministri Thaçi në pyetjen rreth mundësisë së zgjedhjeve të reja. Ndërsa sa i përket ndryshimeve të mundshme në kabinetin qeveritar, pas mbledhjes së qeverisë, Thaçi tha se freskime dhe ide të reja ka pasur, po do të ketë edhe në të ardhmen. «…do të ketë freskime më gjithëpërfshirëse, më të gjëra në kuptimin edhe brenda partiak, ndërpartiak…të gjithë do të jenë të hapur dhe unë do ta mirëpres ndihmën që të ecim përpara sa më mirë e sa më bashkërisht», u shpreh shefi i ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa sa i përket punës njëvjeçare, ai tha se Qeveria gjatë këtij viti është angazhuar në tri shtylla kryesore, në konsolidimin e shtetit të Kosovës, në zhvillimin ekonomik e infrastrukturor si dhe në reforma në administratë dhe pushtet lokal. Viti 2010, sipas tij, do të jetë vit i zhvillimit të Kosovës, ndërsa prioritet kryesore të qeverisë, siç tha ai, janë zhvillimi ekonomik i vendit, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale, reformimi i gjyqësorit, forcimi i legjislacionit, por edhe vit i perspektivës integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike. Ndërsa në vitin që po hyjmë, Thaçi kërkoi nga ministrat e kabinetit të tij, punë dhe angazhim maksimal për arritjen e objektivave të parapara për 2010. Planin e punës së qeverisë për vitin e ardhshëm ai e quajti një udhërrëfyes për qeverinë gjatë 12 muajve të ardhshëm. Ndryshe, Qeveria e Kosovës me kërkesë të zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, në shenjë solidariteti, ndau një shumë prej 10 mijë euro për familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre, nënën e pesënjakëve dhe familjen Tmava./koha/