“Kam vetëm një porosi në këtë ditë hidhërimi dhe shprese njëkohësisht, për botën e krishterë. Kam vetëm porosi paqeje; paqe për serbët, shqiptarët, për të gjithë që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë… Pa besuar në paqe nuk mund të jetojmë normalisht”, ka thënë presidenti i Serbisë me të përfunduar ceremonia, me rastin e kremtes se Pashkëve ortodokse.Ai deklaroi për gazetarët se ka ardhur që Peshkopit Teodosije dhe klerikalit t’u dëshirojë festën e Pashkëve, por që njëkohësisht të dërgojë edhe porosinë e paqes. Vizita e Tadicit në Kosovë është përcjellë me masa të rrepta sigurie. Deri në Manastirin e Deçanit, presidenti i Serbisë erdhi me helikopter të KFOR-it. Qëndrimin e Tadicit po e sigurojnë pjesëtarët e KFOR-it. Mediat serbe citojnë zyrtarë nga kabineti i presidentit të Serbisë se ata nuk kanë kërkuar nga “organet e përkohshme të autoriteteve në Kosovë” leje për vizitën e sotme.