Shqipëria, vend rekord aksidentesh

Shqipëria, vend rekord aksidentesh

Aksidentet rrugore po shkaktojnë çdo ditë e më shumë viktima, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më problematikët. Madje, mjekët e Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë pranë Spitalit Ushtarak, pohojnë se po vdesin njerëz njësoj si në kohë lufte, për shkak të aksidenteve. Ndërsa studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se Shqipëria ka 10 të vdekur për 15 mijë banorë, një numër që është 3.5 herë më i lartë se ai i vendeve të Europës Lindore. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë shkaqet që sjellin aksidentet dhe masat që duhen marrë. Shqipëria mban rekord sa i takon numrit të aksidenteve dhe kjo vërtetohet nga numri i lartë i vdekjeve dhe pacientëve që paraqiten në urgjencat e spitaleve për ndihmë mjekësore. Madje, shifrat tregojnë se numri i aksidenteve është disa herë më i lartë se i të gjithave vendeve të Evropës Lindore. Muajt e verës, sipas mjekëve të urgjencës së Traumatologjisë, janë më problematikët, sepse vijnë edhe shumë emigrantë për të kaluar pushimet. «Ndodhemi përballë shtimit të rasteve në mënyrë masive nga aksidentet me makinë. Këto aksidente po e dominojnë stinën, pasi kemi mbi 70 raste të dëmtuarish në aksidente me makinë çdo ditë», – theksoi shefi i urgjencës së Traumatologjisë, Myftar Torba, duke shtuar se spitali, pikërisht në këto ditë është i mobilizuar për të pritur fluksin e pacientëve të aksidentuar. Ndërkohë, mjekët e këtij spitali pohojnë se, nisur nga shifrat alarmante, po vdesin njerëz njësoj si në kohë lufte. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, rekomandojnë marrjen e një sërë masash nga qeveria shqiptare, një detyrim ky për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, të cilat, brenda vitit 2012 duhet të reduktojnë në 50 % numrin e aksidenteve. Specialistet kanë kërkuar që të rishikohet shpejtësia e lëvizjes në qytete, por edhe jashtë saj. Një pikë e rëndësishme është jo vetëm ndërtimi i rrugëve dhe përmirësimi i atyre ekzistuese, por edhe pajisja me sinjalistikë. «Një pikë shumë e rëndësishme për parandalimin e aksidenteve është vendosja në akse qendrore apo në kryqëzime, i radarëve dhe i kamerave për kontrollin e shpejtësisë, si dhe pajisje për matjen e alkoolit», rekomandojnë specialistët e ISHP-së. /shekulli/