Shkup,kompromis me Gruevskin

Shkup,kompromis me Gruevskin

Sipas bisedimeve më të fundit, nga ekzekutivi mësohet se qeveria ka rënë dakord që t’i sigurojë një truall në qendër të qytetit BFIM-së për të ngritur selinë e saj.
Konkretisht bëhet fjalë për administratën, rezidencën e reisit dhe qendrën kulturore. Toka jepet në formë kompensimi për vakëfin Jelen Kapan, aty ku ndodhet gjyqësori.
Nga BFIM-ja nuk japin hollësi se sa do të jetë sipërfaqja që do të përfitojnë dhe as koordinatat ekzakte, por mësohet janë angazhuar dikasteret përkatëse për të gjetur lokalitetin. «Ne kemi arritur një marrëveshje të tillë, qeveria është angazhuar për realizimin e saj». Kështu pohon sekretari i përgjithshëm Afrim Tahiri.
Kompensimi me tokë i ish pronave, vakëfeve të BFIM-ë është një prej kompromiseve të mundshme me të cilin mund të dakordohet institucioni fetar për kthimin e të gjithë pasurisë së patundshme.
 Nëse për Xhaminë Burmali kompensimi nuk vlen, pasi ish prona nuk është në proces denacionalizimi, për vakëfet e tjera të cilat janë në përdorim nga shteti, BFIM do të pranojë kompesime.
Po ashtu, burimet zyrtare pranë institucionit bëjnë të ditur se për ish vakëfin, Ibni Pajko, aty ku qeveria ka nisur ndërtimin e sallës së koncerteve të Filarmonisë, BFIM mund të dakordohet për kompensimin e tij me një lokacion tjetër.
Kjo pasi në esencë, kompensimi, është një praktikë e pranueshme për institucionin dhe e përdoruar edhe në raste të tjera gjatë procesit të kthimit dhe kompensimit të disa prej pronave të saj në disa qytete të vendit. Ndërsa kompensimi me letra me vlerë ka qenë një prej varianteve që gjithnjë është refuzuar nga BFIM. «Ne nuk heqim dorë nga asnjë pëllëmbë toke që na takon. Edhe nëse nuk arrijmë të zgjidhim kontestet tona juridike me shtetin ne do t’i drejtohemi edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
E njëjta gjë vlen edhe për xhaminë Burmali, ne vazhdimisht kemi kërkuar kthimin e saj, në vendin ku ka qenë, tani jemi edhe më insistues në kërkesën tone», thotë sekretari i përgjithshëm Afrim Tahiri. Bisedimet dhe marrëveshjet mes klerit mysliman dhe qeverisë, kanë provokuar reagimet e organizatave joqeveritare.
Nëse para disa kohësh, Këshilli për Rindërtimin e Xhamisë Burmali e atakonte BFIM-në për pasivitetin lidhur me çështjen e xhamisë, disa ditë më parë dy shoqata të tjera, Lëvizja Qytetare «Zgjohu!» dhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë, reaguan ndaj deklaratës së kryetarit të BFI, Sulejman Rexhepi, i cili do të deklaronte se ai dhe institucioni që ai drejton nuk janë kundër ndërtimit të kishës ortodokse, mbi themelet e shtëpisë së lindjes së nobelistës Nëna Terezë.
 Gjithashtu kanë hedhur dyshime se kjo është pjesë e kompromisit me Qeverinë. Qytetarët shqiptarë, të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe BFIM duhet njëzëri të mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni, apelohet nga OJQ-të.
 Nga ana tjetër edhe BFIM-ja përmes një komunikate, thotë se për shumë çështje që paraqiten duhet të angazhohen dhe ta thonë fjalën e tyre subjektet politike, ndërsa për çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e jetës religjoze në vend përgjigjet BFIM-ja dhe jo disa organizata të themeluara në forma të dyshimta./GAZETA KOHA/