Lamtumira e Maldinit

Lamtumira e Maldinit

Mbi 1000 ndeshje zyrtare me Milanin dhe Kombëtaren italiane, 5 Liga të Kampionëve, 7 Scudetto, 3 Interkontinentale, e shumë kupa të tjera, e përshkuan karrierën e jashtëzakonshme dhe vështirë të arritshme të shtyllës së mbrojtjes, italianit Maldini.
Hera e fundit, kësaj radhe është e vërtetë. Legjenda e Milanit do ta zhvillojë të dielën ndeshjen e tij të fundit në stadiumin San Siro, në ballafaqim me Romën e Francesco Tottit. Ai është Paolo Maldini, i cili mban 5 Liga të Kampionëve, të cilat i ka fituar me Rossonerët. Do të jetë hera e fundit që do të shkojë në zhveshtore si futbollist, që do të dalë nga ai tunel i stadiumit. Do të jetë hera e fundit që do t’u përgjigjet përshëndetjeve të tifozëve.Do të jetë 24 maji i vitit 2009, një datë tjetër që kapiteni nuk do ta harrojë kurrë. Muaji maj ishte muaj i kapitenit: këtë e thonë të gjitha fitoret në Ligën e Kampionëve dhe Scudettot e fituara: respektivisht 5 dhe 7.S’duhet harruar këtu 3 Kupat Intercontinentale dhe trofetë e tjerë, ndër ta edhe Superkupat e ndryshme. E fundit, Botërori për klube, i mbajtur në Yokohama, më 16 dhjetor 2007.Do të jetë hera e fundit e kapitenit, të cilin trajneri Nils Liedholm ia kishte mundësuar debutimin si 17 vjeç, më 20 janar 1985 në Friuli, kundër Udineses (1-1). Më shumë se dy dekada më parë. Gjatë kësaj periudhe, ai arriti rekorde të ‘çmendura’, duke i fituar trofetë njërin pas tjetrit me një shpejtësi konstante. Ai dha kontribut të madh edhe në Kombëtaren italiane. Ai e mbante krahun e majtë gjallë, si tek Rossonerët, ashtu edhe tek Azzurrët. Nuk i mungonin as golat. Hera e parë që kishte realizuar gol, ishte 4 janari i vitit 1987 në Serie A, në ndeshjen Como-Milan, gol vendimtar, 1-0.901 herë — Kështu shkoi, nga njëra datë në tjetrën. 31 mars 1988? Debutimi në Kombëtare: në Split në ndeshjen Jugosllavia-Italia (1-1). Goli i parë me fanellën azzurre, me të cilën i kishte 126 paraqitje, ngjau më 20 janar 1993, kundër Meksikës në Firenze (2-0). Për Maldinin nuk do të mjaftonte një libër voluminoz. Ai e pati ndeshjen zyrtare numër 1000, duke përfshirë këtu Milanin dhe Kombëtaren, më 16 shkurt 2009, ndërsa ndeshjen numër 900 me fanellën e Milanit e barti më 16 maj në Udine. Me Romën do të jenë 901 sish. Shifër e paarritshme nëse mendojmë se në pozitën e dytë në histori të Rossonerëve është Franco Baresi, me 719, një numër që nuk e kishte arritur askush më parë.“Dukej e pabesueshme ajo që e kishte bërë Franco Baresi për 20 vjet, Paolo ka arritur në 25… Mëkat që këto 25 vjet nuk fillojnë tash, por kanë përfunduar. Festa e kapitenit fillon me Milanin në Ligën e Kampionëve”, ka thënë zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani. Çfarë karriere e jashtëzakonshme e Maldinit! Gjithnjë i gatshëm ta ngre kokën, pa marrë parasysh disa zhgënjime. Për shembull, ai i paharrueshmi i Stambollit, në vitin 2005, por ndodhi hakmarrja në Athinë në vitin 2007: gjithnjë kundër Liverpoolit.Sidoqoftë, ka arritur momenti: pas 25 vjetësh, ajo e së dielës në ora 15 do të jetë hera e fundit në San Siro, për ta prekur paraqitjen numër 29 këtë sezon, ku zakonisht futej në lojë nga minuta e parë, pa u zëvendësuar asnjëherë. Një fizikus i shkëlqyer, në shërbim të një sezoni ku dukej si t’i kishte 20 vjet. Të dielën do të përshëndetet me San Siron kundër Romës së Francesco Tottit: finalja më e bukur në një ndeshje që vlen për sigurimin matematikisht të Ligës së Kampionëve. Një sfidë e shtyllave të dy ekipeve. Më pas, do të jetë radha e ndeshjes Fiorentina-Milan, ku kapiten Maldini do t’i japë fund karrierës së tij të rrallë dhe vështirë të arritshme.