Shkup: Nga fundi i shkurtit vetëm me pasaporta biometrike

Shkup: Nga fundi i shkurtit vetëm me pasaporta biometrike

Nga fundi i shkurtit vetëm me pasaporta biometrike

 
 
 
Kanë mbetur edhe pak ditë për përdorimin e pasaportave jobiometrike, “pasaportës së kaltër”, që u skadon afati i përdorimit në fund të muajit shkurt dhe hyn në fuqi domosdoshmëria e posedimit të pasaportave biometrike.
Me të drejtë shqetësohen bashkatdhetarët tanë në vendet perëndimore, të cilët akoma nuk janë pajisur me pasaporta biometrike.
Tani qarkullojnë informacione të ndryshme lidhur me poseduesit e pasaportës së kaltër dhe mundësitë e lëvizjeve të personave me këto pasaporta, kur është bërë publike se ato pasaporta vlejnë deri më 27 shkurt, afat që është paraparë si optimal për tu pajisur me pasaporta biometrike.
Për të sqaruar këtë problematikë, për shqetësimet që ngrenë bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme në botën e jashtme, u drejtuam MPB-së, prej nga informojnë se nuk ka vend për ndonjë shqetësim lidhur me këtë çështje.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se të gjithë personat që akoma nuk janë pajisur me pasaporta biometrike, por janë posedues të pasaportës së kaltër dhe ndodhen në botën e jashtme, mund të kthehen në vendlindje pa pas asnjë problem të regjimit të kalimit kufitar nga vendqëndrimi i tyre deri në vendlindje, nëse udhëtojnë me aeroplan drejtpërdrejti në destinacionet Shkup dhe Ohër ( ku janë aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar). Ndërkaq, poseduesit e pasaportës së kaltër, nëse do të udhëtojnë me vetura ose me linjat e autobusëve, pas skadimit të afatit të paraparë, nuk mund të lëvizin me pasaportën e kaltër nëpër kufij, pa u pajisur në përfaqësitë konsullaro-diplomatike të Maqedonisë, me fletudhëtim valid.
Rrjedhimisht nënkuptohet se poseduesit e pasaportës së kaltër (jobiometrike), munden me u kthye në Maqedoni edhe pas skadimit të afatit të atyre pasaportave, vetëm me linjë ajrore, ndryshe, do të jenë të detyruar të pajisen me pasaporta biometrike. Po ashtu, nga MPB-ja bëjnë të ditur se ata që kthehen në vendlindje me aeroplan me pasaporta të kaltra-jobiometrike, nuk mund të dalin jashtë shtetit pa u pajisur me pasaporta biometrike.
Të gjitha këto janë të parapara me ligjin për dokumentet e udhëtimit bashkë me sqarimet e duhura në arsyetimin gjatë sjelljes së ligjit për pasaporta biometrike, për harmonizimin e lëvizjes së lirë nëpër vendet perëndimorë dhe tejoqeanike të qytetarëve. (INA)