PS hap zyrtarisht fushatën, e fillon nga Qyteti Studenti

PS hap zyrtarisht fushatën, e fillon nga Qyteti Studenti

Nga nesër fillon numërimi mbrapsht për të ndalur më 28 qershor ditën kur shqiptarët do të vendosin se kush janë preferencat e tyre politike. Veç detajit të këngës që do të shoqërojë të gjithë fushatën e selisë rozë, çdo detaj tjetër i mundshëm është mbajtur sekret nga organizatorët për të lënë surprizë çdo element tjetër të tij për pasditen e sotme. Ditën e djeshme nisën përgatitjet e ngritjes së skenës ku do të zhvillohet mitingu i hapjes së fushatës. Gjatë ditës së djeshme pranë fushave të sportit në Qytetin Studenti mbërritën materialet e nevojshme dhe menjëherë pas tyre filloi montimi i skenës qendrore. Mitingu do të zhvillohet në ambientet e Qytetit Studenti në mënyrë simbolike, në të njëjtin vend ku lindi Lëvizja Studentore e viteve ‘90.Dy ditë më parë, kreu socialist prezantoi një element të fushatës elektorale. Ai u është rikthyer bashkëpunimeve muzikore me grupin «West Side Family» me të cilët këndoi gjashtë vite më parë një tjetër këngë me titullin «Tirona». Në një prezantim të limituar të këngës kuptohet se teksti dhe tingujt e saj janë një mesazh i qartë i filozofisë së Partisë Socialiste e në veçanti i kryetarit të saj, Edi Rama. Më thirrjen «Çohu», Rama përmes këngës u bën thirrje shqiptarëve për të reaguar përmes votës që do të sjellë ndryshimin. Pjesa tjetër e këngës që do të këndohet nga grupi «West Side Family» dhe Edi Rama do të prezantohet sot e plotë gjatë hapjes së fushatës elektorale. Mësohet se mesazhet e lëshuara në hapjen e fushatës do t‘u drejtohen veçanërisht studentëve, duke dashur që nga i njëjti vend ku 18 vjet më parë u ndryshua sistemi, këtë herë të ndryshojë e gjithë Shqipëria. Pjesë e mitingut që shënon hapjen zyrtare të fushatës do të jenë ekipi me 140 kandidatë, të cilët për herë të parë do të prezantohen së bashku para elektoratit si dhe aleatët e PS me të cilët ajo ka nënshkruar një koalicion, PSD, PDS, G99 dhe PBDNJ.