Prizreni për kryeqytet

Prizreni për kryeqytet

“Kërkojmë që pas debatit dhe vendimit, Parlamenti i Kosovës të obligoj Qeverinë e Kosovës që të përgatis infrastrukturën ligjore për t’u bartur administrata e shtetit të Kosovës në Prizren më 10 qershor 2016”, thuhet në kërkesën e 10 deputetëve. Sipas tyre, kërkesa që Prizreni të shpallet kryeqytet i Kosovës mbi të gjitha përkon me rëndësinë historike që ka ky qytet për popullatën e Kosovës në përgjithësi dhe për popullin shqiptar në veçanti. “Qyteti i Prizrenit falë kësaj trashëgimie historike me shumë të drejtë nga shumë studiues vendor e ndërkombëtar quhet “kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve”. Gjatë të kaluarës historike Prizreni ishte vendi ku lidheshin rrugët më të rëndësishme që lidhnin Perëndimin dhe Lindjen, për çka ky qytet u “shpërblye” gjatë historisë, duke e pasuruar trashëgimin nga të gjitha sferat e jetës”, thuhet në arsyetimin e deputetëve.Sipas deputetëve, nisur nga trashëgimia historike, Prizreni është qyteti më i pasur jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Gadishullin Ballkanik për nga trashëgimia kulturore dhe pavarësisht prej faktit se një pjesë e kësaj trashëgimie për arsye të shumta nuk është sot “funksionale” me një përkushtim më të madh kjo trashëgimi mund të jetë shumë tërheqëse si në aspektin e vizitorëve ashtu edhe të investitorëve.“Një specifikë tjetër që do t’ia kishin lakmi Prizrenit edhe qytet më të mëdha të botës së civilizuar është edhe bashkëjetesa e popullsisë së Prizrenit , që ndryshe mund të quhet edhe model tipik evropian i bashkëjetesës në aspektin fetar dhe etnik, karakteristikë kjo që e ka shoqëruar Prizrenin që nga lashtësia».Sipas deputetëve, janë edhe me qindra arsye të forta dhe të bazuara pse Prizreni e meriton të jetë kryeqyteti i Kosovës, nga se në këtë qytet të gjitha institucionet kulturore, edukative kanë vendlindjen e tyre.Prizreni në periudha të caktuara historike ishte qendër e vilajetit, vendlindja e shtetit te parë autonom shqiptar, ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa prej 17 dhjetorit 1944 e deri më 31 dhjetor 1946 u rizgjodh kryeqendër e Kosovës.10 deputetët që kanë parashtruar kërkesën janë: Zafir Berisha, Hajredin Kuqi, Rita Hajzeraj- Beqaj, Gani Geci, Driton Tali, Shkumbim Demalijaj, Numan Baliq, Ibrahim SH Makolli, Ibrahim Selmanaj dhe Naser Rugova.