Ambasadori i Sllovakisë dhe ai i Francës në Beograd, Igor Furdik dhe Francois Terral, në një bisedë për televizionin B92 kanë dhënë arsyet pse shtetet e tyre janë përfshirë në diskutimin për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Sllovakia dhe Franca, dy vende të Bashkimit Evropian, janë deklaruar ndryshëm rreth pavarësisë së Kosovës. Franca është ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, derisa Sllovakia konsideron se, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, dhe se për këtë shkak nuk e kanë njohur atë. Qëndrimet e mirënjohura të këtyre dy shteteve tashmë janë shpalosur edhe në deklaratat e tyre të deponuara në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, thonë ambasadorët Igor Furdik dhe Francois Terral. «Kemi deponuar deklaratën ku kemi shkruar se – pse mendojmë që vendimi nuk është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Me këtë deklaratë kemi treguar se vendimi ynë për të mos e njohur Kosovën, nuk ishte diçka e bërë në afekt, por, për arsye që lidhen me të drejtën ndërkombëtare», ka thënë ambasadori sllovak. Ambasadori francez ndërkaq, ka thënë se tash është e rëndësishme që të mbrohen interesat e komuniteteve të caktuara, para se gjithash atij serb, dhe shton se për këtë arsye është formuar misioni EULEX. «Sa i përket Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, aty tash pritet procesi juridik – 35 shtete kanë dhënë mendimin e tyre dhe kjo është gjë normale. Sikur edhe shtetet tjera që janë të interesuara për këtë çështje, edhe Franca – e cila është edhe më shumë e interesuar pasi që është një prej mbështetësve më të mëdhenj të vendosjes së misionit EULEX – ka vepruar njësoj», ka thënë Terral. Të pyetur ndërkaq, se si do të sillen shtetet e tyre nëse Gjykata deklarohet ndryshe nga qëndrimet për të cilat ato angazhohen, ambasadorët rikujtojnë faktin se Gjykata jep «vetëm mendim këshillëdhënës», mirëpo paralajmërojnë qasje të ndryshme ndaj mendimit të Gjykatës. «Gjykata jep mendim këshillëdhënës dhe nuk do të kthehemi prapa. Për ne, çështja e Kosovës është punë e kryer. Ishte një proces i gjatë dhe i vështirë – ka ardhur deri të vendimi për pavarësi. Franca, sikur edhe rreth gjashtëdhjetë shtete të tjera, ka marrë vendim për këtë gjë», ka thënë Terral. «Nëse ky trup i lartë këshillëdhënës thotë se vendimi ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, pozicioni ynë, sikur edhe pozicioni i Serbisë, është komod. Ne angazhohemi për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe do ta respektojmë vendimin edhe pse është këshillëdhënës», ka thënë Furdik.