Opinione: Ku "fshihet" autonomia e gjykimit kritik?!

Opinione: Ku "fshihet" autonomia e gjykimit kritik?!

Lexova diku në shtypin vendor se «Fabrika» e famshme e para 4-5 viteve ka nxjerrë përsëri piptha të rinj… Atëbotë, të gjithë ata që e kanë të freskët mbamendjen, «i kujtojnë» gazetarët e «famshëm» që e orkestruan PR-in (në anglisht Public Relations) legjendar në «Fabrikën e LSDM»-së, kurse tani përmendet një fabrikë tjetër, ajo e pushtetit aktual… Ky, paralajmërohet si skandali i radhës, ku për fat të keq, gjithashtu janë të përfshirë gazetarët, mediat…Është koha për të vepruar ndryshe. Vetëm përdorimi kreativ i mediave do t’u ndihmonte atyre për të cilët edhe ekzistojnë mediat – opinionit publik. Por, në realitet a ndodh kështu? Politika, ndonëse është «materiali» më i përshtatshëm për të krijuar një ngrehinë të qëndrueshme në shoqëri, ajo, megjithatë nuk po arrin ta tejkalojë vetveten. Testi i parë i këtij moskapërcimi është raporti që ka politika me median. Kjo e fundit ka bërë disa sprova të suksesshme të krijimit të autonomisë së gjykimit kritik, por jo të mjaftueshme, me përjashtim të disa mediave. Kur jemi te autonomia e gjykimit kritik, duhet përmendur edhe disa nga ato media që hynë nën «ombrellën» e koncerneve ndërkombëtare mediatike. Interesi publik që manifestohet në mediat e shkruara dhe audiovizive, jo rrallë kufizohet me interesat e ngushta të oligarkëve mediatik, të cilët ndodhë të jenë edhe kreatorë të politikës redaktuese. Mendimi im është se këta të fundit, duke mos e përkufizuar qartë etikën profesionale dhe interesat e biznesit, po bëjnë një klonim të tmerrshëm të mendimit publik, përmes instrumenteve që janë më tepër vegla të politikës se sa të profesionit të gazetarisë. Kam bindjen se modeli i stërkequr i oligarkëve mediatik që kontrollojnë sfera të ndjeshme të jetës publike, i ka krijuar favore të pashtershme politikës së ditës, e cila po e transferon interesin publik në interesa të grupeve të caktuara të presionit publik dhe të qendrave vendimmarrëse politike. Politikanët janë të shkathtë të manipulojnë me publikun dhe të ushtrojnë presion politik mbi median. Komunikimi në mes të mediave dhe partive politike në Republikën e Maqedonisë dhe në rajon është shumë i dobët në drejtim të kënaqjes së interesave të publikut. Arsyeja për këtë duhet kërkuar në mungesën e traditave demokratike që ka një efekt negativ edhe tek brezi i ri. Për këtë gjendje, është e pashmangshme situata e keqe ekonomike në media, e cila shfrytëzohet nga partitë e mëdha politike, duke e çuar kapitalin e tyre atje (në media), po arrijnë ta mbajnë nën kontroll rrjedhën e informacionit. Në këtë kontekst, duhet kërkuar përgjigje në pyetjet e mëposhtme: Ku e kanë vendin politikanët dhe gazetarët në krijimin e një raportimi cilësor politik? Cila është hallka që e lidh politikën, median dhe publikun? Çfarë ndikimi kanë pronarët e medias në formimin e opinionit publik? A është rregullimi i kodit etik çështje e qeverisë (pushtetit) ose e politikave redaktuese autonome të vetë mediave? Prandaj, këto thekse edhe mund të jenë disa nga shkaqet që mediat në Maqedoni dhe në Ballkanin Perëndimor të mos jenë ende një faktor korrigjues i shoqërisë, por vetëm një bartës i mesazheve të ndryshme nga qendra të ndryshme të pushtetit dhe shoqërisë civile, por edhe të paguajnë haraçin e padëgjueshmërisë. Kjo ka sjellë që komunikimi me median nga politikanët, të zbresë në nivel të një sjelljeje primitive të komunikimit, ku fjalori i përdorur nuk kalon përtej formatit të gjuhës së rrugës. Të pasanksionuar nga ligji, politikanët kanë bërë «ligjin» e më të fortit, duke shkelur me dy këmbë mbi autonominë dhe mëvetësinë e punës së mediave. Për pasojë, politikanët sillen me arrogancë dhe nënçmim ndaj gazetarëve dhe jo rrallë caktojnë rregulla arbitrare se cila nga mediat mund dhe cila nuk mund ta marrë informacionin.Presionet janë shumë të shpeshta dhe frustruese nga kërcënimet me pushim nga puna të gazetarëve, të cilët nuk dëshirojnë t’i kryejnë detyrat me porosi nga lart, ose urdhrat e punëdhënësit. Shpesh, mediat e kontrolluara, përcjellin mesazhe me përmbajtje të qarta të promovimit të mosdurimit etnik. Sidomos, pas luftës së vitit 2001, në Maqedoni, këto gjëra janë bërë krejtësisht të natyrshme dhe të përditshme në mediat maqedonase. Politika redaktuese dhe përmbajtja e emisioneve, sidomos lajmet në median e kontrolluar nga politika, ka treguar gjithnjë shumë qartë se nuk mund të jetë një model i mirë, pasi se vazhdon të mbetet në favor të partive në pushtet, ndërsa kundërshtarët politikë e argumentojnë këtë me faktin se censura e qeverisë e përdor median për të manipuluar publikun. Prandaj, gazetarët kanë të drejtë dhe duhet të protestojnë. Por, deri kur…?