Secili mërgimtar që vjen në pushime në Kosovë, paguan dy herë për sigurimin e automjeteve. Një herë në vendin prej nga vijnë dhe herën tjetër për kohën e qëndrimit të tyre në Kosovë. Edhe pse kompanitë e sigurimeve të vendeve të BE-së iu garantojnë se ato mbulojnë territorin e Kosovës, shteti ynë nuk i njeh ato, duke i detyruar të gjithë ata që futen në kufi të paguajnë sigurimin, i cili sillet prej 45 deri 150 euro varësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit. Të shqetësuar nga ky obligim i dyfishtë për sigurimin e automjeteve, në emër të kosovarëve që jetojnë në diasporë, Mustafë Jashari, ish-funksionar i Kombeve të Bashkuara, me vendbanim në Gjenevë të Zvicrës, ka një vit që nuk është ndalur duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta ndalin atë që ai e quan “plaçkitje” të diasporës që i bëhet në hyrje të kufirit të Kosovës. Ndërkohë që zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës thonë se nuk janë të sigurt nëse sigurimet e vendeve të BE-së vlejnë edhe për Kosovë.“Nuk jam i sigurt nëse sigurimet e tyre mbulojnë edhe Kosovën. E di që deri më tani nuk ka qenë ashtu dhe ne kemi vepruar sipas ligjeve dhe rregulloreve që janë në fuqi”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, për të shtuar se deri në ndonjë vendim tjetër duhet të implementohen ligjet në fuqi.Ai tha se Qeveria do të bëjë përpjekje që të implementohen rregulloret ndërkombëtare që aplikohen në Evropë. Nga ana tjetër, Jashari tha se kjo plaçkitje u bëhet mërgimtarëve në emër të një takse për sigurim të automjeteve e, që sipas tij, është e paligjshme për faktin që sigurimet e automjeteve të tyre që bëhen në vendet e Bashkimit Evropian janë të vlefshme edhe në Kosovë. Jashari bashkë me disa kosovarë që jetojnë në diasporë kanë ndërmarrë një iniciative që e kanë quajtur “Iniciativa qytetare në Diasporë”.“Ne kemi grumbulluar fakte që dëshmojnë se padrejtësisht shteti na shtin të paguajmë sigurimin që veç është i paguar”, ka thënë Jashari.Zëdhënësi i Qeverisë tha se është i njoftuar me shqetësimet e diasporës. “Kemi marrë një shkresë nga ta dhe jemi të njoftuar me shqetësimet e tyre”, tha Krasniqi.Drejtuesi i Iniciativës Diaspora tha se me këtë shqetësim tash sa kohë janë duke u përballur diaspora, të cilët kanë kërkuar edhe nga sigurimet në vendet ku jetojnë dëshmi se sigurimet e tyre që paguajnë atje vlejnë edhe për Kosovë. “Personalisht unë e kam marrë edhe një vërtetim që sigurimi që unë e paguaj në Zvicër i mbulon edhe dëmet që mund të më shkaktohen në Kosovë”, thotë Jashari. Mirëpo, kjo dëshmi nuk është pranuar në kufirin e Kosovës, ai është refuzuar si i pavlefshëm. “Ky është krim ekonomik, i organizuar nga dora e shtetit në kurriz të mërgimtarëve, që me mundin dhe sakrificën e tyre me vite të tëra kanë mbajtur gjallë qytetarët e Kosovës. Është turp për Qeverinë, Kuvendin dhe të gjitha institucionet”, ka thënë Jashari.Ai numëron një varg padrejtësish të tjera me të cilat përballet diaspora sa herë që vijnë në Kosovë. “Le që nuk kemi trajtim më të mirë dhe shërbime më të shpejta komunale, por edhe po dënohemi sikur të jemi qytetarë të dorës së dytë”, ka thënë Jashari.Ai ka bërë të ditur se Iniciativa Qytetare Diaspora i ka dërguar shkresa presidentit të Kosovës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministres së Drejtësisë, drejtorit të Doganave, shefit të EULEX-it dhe shefit të ICO-së,” ka thënë Jashari për të shtuar se asnjëri nga këta nuk iu është përgjigjur shqetësimeve të tyre. Ai është takuar vetëm me Avokatin e Popullit të Kosovës, i cili përveç se ka dëgjuar shqetësimet e tyre, nuk ka ndërmarrë asgjë. Iniciativa Qytetare Diaspora është konsultuar edhe me avokatë ndërkombëtarë dhe vendorë dhe kanë vendosur të ngrenë një padi për këtë padrejtësi. ”Fatkeqësisht dhe pa dashjen tonë, na duhet t’i bëjmë padi shtetit tonë për të cilin jemi angazhuar dhe kemi punuar me vite të tëra. Do të bëjmë padi për shkeljen e të drejtave tona dhe për plaçkitjen që po na bëhet në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Jashari. Ndërsa, Memli Krasniqi ka thënë: ”Nuk besoj që ka mërgimtar nga Kosova që mund ta padisë shtetin e vet”. (Ekonomisti)