James Berisha, një pilot nga Kosova që jeton në Shtetet e Bashkuara do të niset këto ditë për një fluturim të gjatë që do ta çojë në 34 vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore.Qëllimi i këtij udhëtimi të financuar pjesërisht prej atij vetë është të sensibilizojë këto vende për Kosovën si shtet i ri që ka fituar pavarësinë e njohur tashmë nga 58 shtete.Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Berisha ka thënë se do të niset nga El Paso i Teksasit me një avion Cesna 172 me 4 vende. Ai thotë se një pjesë e madhe e njerëzve në Amerikën Latine nuk e dinë se ku ndodhet Kosova.James Berisha ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitin 1995. Pasi është liçencuar si pilot privat në Zvicër, ai ka studiuar në Flight Safety Academy të Floridës dhe është sot pilot ndërkombëtar si dhe instruktor fluturimesh.Me një përvojë 15-vjeçare dhe 6 mijë orë fluturimi, ai mendon se fluturimi do të ketë sukses për të ndërgjegjësuar njerëzit për Kosovën në secilin prej kryeqyteteve e Amerikës Latine ku do të ulet.James Berisha shpreh dëshirën që kosovarët kudo që janë t’u dërgojnë letra dhe e-maile qeverive të këtyre vendeve ku t’u bëjnë thirrje për të njohur Kosovën si vend i pavarur.Ai mendon se largësia e Kosovës nga këto vende është njëri faktor që shumë prej tyre nuk e kanë njohur shtetin e ri. Nga ana tjetër, thotë ai, këto shtete kanë marrëdhënie të vjetra me Serbinë dhe hezitojnë t’i prishin këto lidhje për shkak të Kosovës. Disa vende të tjera, thotë zoti Berisha, nuk e dinë fare se ku ndodhet Kosova.James Berisha dëshiron që pas këtij fluturimi të gjatë të kthehet në Kosovë dhe të përpiqet të ngrejë atje një shkollë fluturimi. /GAZETAEXPRESS/