Maqedonia i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

Maqedonia i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

Të hënën në Bruksel është zhvilluar takimi i parë i Këshillit të Stabilizim- Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë, ndërsa Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të BE-së raportet e para me vlerësime për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave nga vendet e Ballkanit. Korrespondenti i BBC-së në Bruksel, duke iu referuar burimeve diplomatike, thotë se sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e regjimit të vizave, Komisioni Evropian ka arritur në përfundimin se kushtet i ka plotësuar vetëm Maqedonia. Heqjen e vizave për shtetasit e vet mund ta presë edhe Mali i Zi, ndërkohë që, me gjithë përparimet e bëra, për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën thuhet se ende nuk i kanë përmbushur kushtet në tërësi. Për vështirësi të caktuara flitet edhe kur është fjala për Serbinë. Sidoqoftë, Komisioni Evropian do të vendosë në qershor se për cilat vende do të hiqet regjimi i vizave.