Kryeministri Hashim Thaçi, i cili njëherësh e udhëheq Këshillin e Sigurisë së Kosovës (KSK), e ka “harruar” një vendim (nr. 04/045), të cilin e ka nënshkruar vetë në mbledhjen e Qeverisë më 14 nëntor 2008. Në atë mbledhje, kryeministri Thaçi pati kërkuar nga Ministria e Administratës Publike që t’i grumbullonte të gjitha veturat tepricë të institucioneve të Kosovës dhe ato të shiteshin nëpërmjet ankandit publik. Për këtë shitje ishte e autorizuar Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë. Atë vendim kryeministri e pati proklamuar si efikasitet të qeverisjes së tij. Tani, pas gati një viti, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Thaçi, ka vendosur t’i shpenzojë 70 mijë euro për blerjen e tri veturave për nevojat e KSK-së. Nga burime brenda Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, “Lajm” e ka siguruar referencën me shifër “zk 104-09-106-121”, për furnizim me automjete për nevojat e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Mirëpo, kërkesa për t’i blerë këto vetura bie në kundërshtim me vendimin nr. 04/45, ngase aktualisht në parkingun e Ministrisë së Administratës Publike janë në dispozicion 30 vetura të llojeve të ndryshme, kryesisht “Jeep”-a, që mund t’i marrin kurdo institucionet që kanë nevojë. “Ministria e Administratës Publike ka pranuar nga Doganat e Kosovës 37 vetura, prej të cilave 7 tashmë u janë shpërndarë institucioneve që kanë bërë kërkesë për to. Të tjerat janë në pritje të ndonjë kërkese eventuale për t’u marrë në shfrytëzim nga institucione që mund të kenë nevojë për vetura“, konfirmoi të mërkurën për gazetën zëdhënësja e Ministrisë së Administratës Publike, Majlinda Lulaj-Sinani. Ministria e Administratës Publike, përveç që ka vetura rezervë, e ka implementuar vendimin e Qeverisë, ku qindra vetura të tjera i ka dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, për t’i shitur ato në ankand publik. “Listën e veturave nga Policia e Kosovës, Komisioni i Ministrisë së Administratës Publike e ka drejtuar në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, e cila e ka përgjegjësinë e shitjes së tyre në ankand publik”, tha Lulaj-Sinani.Avdullah Kryeziu, kryetar i komisionit për organizimin e ankandeve për shitjen e veturave nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, tha të mërkurën për “Lajm” se kjo ministri po i shet veturat që i janë dorëzuar për këtë qëllim. Sipas tij, deri tani janë organizuar disa ankande dhe është bërë shitja e mbi 100 veturave.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës është themeluar në fillim të muajit shkurt të këtij viti dhe deri tani është mbledhur vetëm dy herë. Ndërkaq, keqpërdorimi i veturave zyrtare, mbase më pak, ka vazhduar edhe nga qeveria aktuale.