AKR: Shteti fqinj e rrezikon veten

AKR: Shteti fqinj e rrezikon veten

Përmbajtja e Enciklopedisë maqedonase, sipas nënkryetarit të AKR-së, Ibrahim Gashi, është reproduktim i tezave false dyshekullore serbe kundër shqiptarëve. AKR-ja kërkon nga autoritetet politike të Shkupit ta tërheqin Enciklopedinë dhe t’u kërkojnë publikisht falje shqiptarëve.
“Fatkeqësia e shkencës maqedonase është se ajo po tenton t’i krijojë premisat kulturore dhe etnike për identitetin e kombit maqedonas, duke e mohuar identitetin e shqiptarëve si etnitet autokton, e kështu po e rrezikon edhe ekzistencën e këtij shteti”.DRILON ZOGAJ Prishtinë, 23 shtator – Enciklopedia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM), e publikuar para paditësh, ka nxitur reagimet e përfaqësuesve shoqërorë dhe politikë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Zyrtarët e partisë kryesore opozitare në Kosovë kërkojnë nga autoritet e Republikës së Maqedonisë që ta tërheqin enciklopedinë e botuar dhe t’u kërkojnë falje publikisht shqiptarëve për fyerjen që ua kanë bërë. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Ibrahim Gashi, tha të mërkurën në një konferencë për media se Enciklopedia maqedonase është një nga provokimet më të rënda që u është bërë qytetarëve shqiptarëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve, në përgjithësi. Sipas tij, tentimi për ta shtrembëruar të vërtetën historike lidhur me origjinën e shqiptarëve e dëshmon kompleksin e thellë që ka e ashtuquajtura shkencë e Maqedonisë lidhur me identitetin e saj. “Me këtë rast shfaqet varësia e thellë deri në shkallë vasaliteti e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë ndaj asaj të Serbisë”. Sipas Gashit, përmbajtja e Enciklopedisë maqedonase është e publikuar tash e dy shekuj në librat enciklopedikë dhe të historisë së Akademisë serbe. “Shkenca e avancuar perëndimore tashmë e ka pranuar tezën mbi autoktoninë e shqiptarëve dhe vijimësinë e kulturës së vonshme ilire dhe asaj të hershme shqiptare që fillon me shtetin mesjetar të Arbrit. Mjafton t’i shfletosh publikimet e albanologëve më të njohur dhe aty do të gjesh argumente të shumta mbi autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan, teza që në masë të vazhdueshme i ka trajtuar edhe shkenca shqiptare në vijimësi, por që janë vërtetuar tashmë katërçipërisht nga shkenca moderne perëndimore”. Për sa i përket identitetit maqedonas, Gashi tha se është mirë të qartësohet se është fjala për një komb politik të krijuar në rrethanat e pas-Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavinë e Titos. “Mirëpo, fatkeqësia e shkencës maqedonase është se po tenton t’i krijojë premisat kulturore dhe etnike për identitetin maqedonas, duke e mohuar identitetin e shqiptarëve si etnitet autokton”. AKR-ja, sipas nënkryetarit të saj, kërkon nga autoritetet politike të Shkupit zyrtar, presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë që ta tërheqin enciklopedinë false dhe të kërkojnë falje publike para qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në Maqedoni. “Kjo do të mund shërbente edhe si një gjest mirëkuptimi ndaj dy shteteve fqinje shqiptare, Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, dhe do të ishte veprimi më racional për ta ruajtur politikën e fqinjësisë së mirë”. Gashi e ka rikujtuar faktin se Shqipëria dhe Kosova janë ndër shtetet e para, të cilat, përkundër problemeve, e kanë njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. “Nëse Maqedonia nuk e tërheq këtë edicion dhe nuk kërkon falje publike për fyerjen që u është bërë shqiptarëve, atëherë autoritetet e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet t’i rishikojnë të gjitha politikat në raport me Maqedoninë”. Sipas Gashit, tendenca për ta mohuar identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, përkundër gatishmërisë së shprehur për të jetuar në shtetin e Maqedonisë, e rrezikon ekzistencën e këtij shteti. Por, ai ka bërë thirrje, që reagimi i përfaqësuesve të shqiptarëve në Maqedoni të jetë brenda institucioneve dhe me mjete demokratike. Akademia e Maqedonisë e publikoi një enciklopedi para pak ditësh, në të cilën në pjesën për shqiptarët përdor termat “arbanasi”, “arnautë”, “shqiptari”, me interpretimin se shqiptarët janë njerëz të ardhur nga malet. Më tej thuhet se shqiptarët në Maqedoni janë dyndur në shekullin XVI dhe XVIII, e deri pas Luftës së Dytë Botërore, duke e ngushtuar popullatën maqedonase, duke e terrorizuar atë dhe duke e dëbuar nga vatrat e tyre.Të shqyrtohet mundësia e padisë Nënkryetari i AKR-së ka kërkuar nga Akademia e Kosovës dhe Shqipërisë që ta shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së padisë ndaj Akademisë maqedonase për shkak të shkeljes së kritereve elementare shkencore për publikimin e enciklopedisë, duke i fyer kolektivisht shqiptarët, historinë dhe përkatësinë e tyre etnike. Gashi ka prezantuar para mediave edhe dy vëllime të një anëtari të Akademisë maqedonase, të titulluar “Dosja e përgjakshme”, me nëntitull “Sulmet edhe veprimet terroriste të shqiptarëve gegë të Mirditës në tokat e Maqedonisë nga viti 1700 deri në vitin 2002”, në të cilin po ashtu shqiptarët fyhen rëndë. “Është momenti i fundit që shqiptarët të reagojnë si komb, fillimisht akademitë, e pastaj edhe politika zyrtare e Shqipërisë dhe e Kosovës”.