Kongresistët amerikanë në fushatë diplomatike për Kosovën

Kongresistët amerikanë në fushatë diplomatike për Kosovën

Miku i njohur i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel në bashkëpunim me dy kolegë të tij, i kanë shkruar letra kryetarëve të 25 shteteve të botës duke u kërkuar që të njohin pavarësinë e shtetit të ri. Vendet, kryetarët e të cilave kanë marrë letrat nuk janë radhitur përkrah Serbisë në çështjen e Kosovës, por janë thjesht të pavendosura, të painformuara sa duhet, apo të pa interesuara për të marrë ndonjë anë lidhur me këtë çështje. «Njohja e pavarësisë së Kosovës do të shtonte qendrueshmërinë në Ballkan si dhe do të ishte një vendim i mençur strategjikisht dhe i drejtë ligjërisht», thuhet ndër të tjera në letrën e tyre të cituar nga gazeta shqiptaro-amerikane «Illyria» në Nju Jork. Në mesin e 25 shteteve kryetarët e të cilëve kanë marrë letra janë edhe Meksika, Ekuadori, Salvadori, Guatemala, Haiti, Republika Domenikane, Xhamajka, Kili etj. Letra i njofton kryetarët e shteteve për njohjen e Kosovës nga 60 vende (letra është dërguar përpara njohjes nga Jordania), pranimin e saj nga FMN dhe Banka Botërore dhe punën e bërë nga Nobelisti për Paqen, Martti Ahtisaari për të gjetur zgjidhjen e qendrueshme për një konflikt të vështirë. Letra citon fjalët e ministrit të Jashtëm Skënder Hyseni në Këshillin e Sigurimit se «në Kosovën e re nuk duhet të ketë vend për dhunë dhe urrejtje» dhe se «institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të ndërtuar një demokraci multietnike në paqe me fqinjët e saj dhe që i ndihmon bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë së rajonit».