Organizata e Konferencës Islamike (OIC) sapo ka aprovuar rezolutën për Kosovën, ka konfirmuar për Express, Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri. Ajo tha se teksti i kësaj rezolute është miratuar para dy javësh në Komitetin e Lartë të Konferencës Islamike në Jeddah të Arabisë Saudite. “Në këtë rezolutë përshëndetën arritjet e Kosovës në vitin e parë të pavarësisë. Përshëndetet vendosja e EULEX’it, shtrija e tij në tërë Kosovën, vendosja e ligjit, rikonfigurimi i UNMIK’ut, si dhe i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë zhvillimet shumëplanëshe në Kosovë”, ka thënë zëdhënësja Beqiri. Ministri Hyseni përshëndeti rezolutën nga OICMinistri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni ka përshëndetur votimin e Rezolutës për Kosovën në sesionin e 33 të Këshillit Islamik të ministrave të jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike që po mbahet në Damask të Sirisë.Ministri Hyseni konsideron se miratimi i kësaj rezolute është i rëndësishëm për proceset në Kosovë, pasi do të ndihmojë shumë nga vendet e Organizatës së Konferencës Islamike për të ndërmarrë hapin e njohjes së Kosovës. Po ashtu, ministri Hyseni çmon lart përpjekjet e të gjithë anëtarëve të OIC-së për të kaluar këtë rezolutë. Menjëherë pas kalimit të rezolutës, ministri Hyseni është njoftuar për lajmin nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Lulzim Basha, për çka ministri Hyseni e falënderon në mënyrë të veçantë atë dhe diplomacinë shqiptare për punën e bërë rreth hartimit të kësaj rezolute si dhe të votimit të saj. Rezoluta në fjalë ka vlerësuar zhvillimet dhe progresin e Kosovës pas pavarësisë, ka përshëndetur po ashtu rikonfigurimin e UNMIK-ut, shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën, ndërkaq i bëhet thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndihmojë zhvillimin e Kosovës. Mes të tjerash në këtë rezolutë i kërkohet sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike që t’i raportojë këtij organizmi për zhvillimet në Kosovë. Turqia lobon për Kosovën në OICProf.Dr. Bekir Ismail, i cili po lobon për Kosovën në Organizatën e Konferencës Islamike (OIC), është takuar me ministrin e punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu. Ismail ka thënë për agjencinë e lajmeve turke Anadolu Ajansi (AA), se e ka njoftuar kreun e diplomacisë turke me zhvillimet e fundit në Kosovë. “Ministri i Jashtëm i Turqisë mbështet njohjen e Kosovës në Konferencën Islamike dhe ka theksuar se Turqi është një vend që gjithmonë e ka derën e hapur për Kosovën”, ka thënë Ismail. “Ministri më ka thënë se përfaqësuarit turk do ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha instancat ku mungojnë përfaqësuesit e saj. Dhe, se Turqia fillimisht përkrahë praninë e Kosovës si vëzhguese në Konferencën Islamike ”, ka thënë ai.Ismail ka takuar edhe Sekretarin Gjeneral të Konferencës Islamike, Dr. Ekmeleddin Ihsanoglu.“Edhe Ihsanoglu ka theksuar se janë duke bërë përpjekje që Kosova të njihet dhe se do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë sa më shpejt”, theksoi Ismail. Ismail ka thënë se është ftuar nga Sekretari Gjeneral i Lidhjes Arabe, Amr Musa për të diskutuar më gjerësisht në lidhje me njohjen e Kosovës. /GAZETAEXPRESS/