Kadare: Kosova dhe kombi shqiptar janë duke ecur përpara

Kadare: Kosova dhe kombi shqiptar janë duke ecur përpara

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu ka thënë se Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi janë duke ecur përpara. Për Kadarenë, ndërtimi i autostradës Kosovë-Shqipëri është edhe një mundësi e lidhjes më të fortë ndërmjet shqiptarëve. Ndërsa Presidenti e falënderoi shkrimtarin e madh për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e tij për vendin tonë. Ndërkohë në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan të Kosovës, shkrimtari shqiptar i njohur në tërë botën, Ismail Kadare, ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë e brengosur për vonesat në njohjen e pavarësisë. Derisa rezolutën për Kosovën të Organizatës së Konferencës Islamike Kadare nuk e quajti si diçka të veçantë, duke shtuar se është çështje kohe se kur secili shtet do të njohë Kosovën. I pyetur nga studentët e Universitetit Amerikan për mundësinë e rishikimit të standardit të gjuhës shqipe, Kadare ka thënë se një gjë e tillë do të kthente mbrapa gjithë kulturën shqiptare. Ai nuk ka përjashtuar gabimet që mund të jenë bërë në përcaktimin e standardit të gjuhës shqipe, mirëpo ka thënë se nuk duhet të dramatizohen gjërat. Gjatë ditës shkrimtari i njohur ka marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera të Universitetit Amerikan në Kosovë.