Në një prononcim për Washington Times, Jeremiq ka thënë se atij nuk i është mundësuar takimi me Sekretaren Clinton, sepse, siç ka thënë ai, ajo është e zënë, dhe në vend të saj do të takohet me zëvendësin James Steinberg. Por, një zyrtar i lartë amerikan i ka thënë gazetës se arsyeja është bashkëpunimi i pamjaftueshëm i Serbisë për ndërtimin e kapaciteteve të drejtësisë, policisë dhe doganave në Kosovë. Këto përpjekje udhëhiqen nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. Zyrtari amerikan ka thënë se në pjesën e përzier jugore ka përfaqësues të serbëve në Policinë e Kosovës, por jo edhe në pjesën veriore, të banuar kryesisht me serbë. «Trendi po shkon në kahje të drejtë, por ka edhe shumë rrugë për të bërë në kuptimin qenësor», i ka thënë gazetës zyrtari amerikan. Jeremiq ka thënë se çështja e Kosovës mbetet therë në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe nuk ka gjasa që të zgjidhet së shpejti, por nuk duhet t’i pengojë të dyja vendet që të punojnë së bashku për të siguruar stabilitetin në Ballkan. Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë të mira, «përveç për këtë gjë të madhe ku kemi mospajtime të thella», citohet të ketë thënë Jeremiq. Shefi i diplomacisë serbe i ka thënë gazetës Washington Times se Beogradi fuqishëm do ta shtyjë përpara rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe ka shprehur bindjen se gjykata do të vendosë në favor të Serbisë. /radio evropa e lire/