Sikur raporton Radio Evropa e Lirë, pas Shqipërisë, edhe Gjermania ka mbajtur një qëndrim të fuqishëm në favor të Kosovës. Atë e ka prezantuar Suzan Vasum Rainer, e cila ka folur për shkeljen dhe diskriminimin masovik në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe. Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar se “shpallja e pavarësisë ka qenë në harmoni me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare”. “Gjermania konsideron se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit në Ballkan. Shpallja e pavarësisë nuk është bërë nga institucionet e përkohshme, por nga institucionet e zgjedhura në rrugë demokratike, që kanë artikuluar vullnetin e popullit”, tha Rainer, transmeton REL. Sipas saj, “Kosova është një rast i veçantë” dhe sa për shpalljen e pavarësisë, ajo ka thënë se “e drejta ndërkombëtare nuk është kompetente të vlerësojë, sepse këtë çështje nuk e ka të sanksionuar”. Edhe përfaqësuesja e Gjermanisë ka pohuar se Rezoluta 1244 nuk përmban asnjë element me anë të të cilit do të mund të ndalonte pavarësimin e Kosovës. “Shpallja e pavarësisë nuk përbën shkelje të Rezolutës 1244. Kosova përmbush kushtet për të qenë e pavarur, sepse ka popullatën, territorin dhe qeverinë e vet”, ka thënë Rainer. Duke e vlerësuar pavarësinë e Kosovës si një gjendje faktike, e cila s’mund të injorohet, përfaqësuesja e Gjermanisë ka thënë se “parimi i vetëvendosjes në rastin e Kosovës është i pranueshëm si zgjidhja e fundit dhe e vetmja e mundshme për shkak të diskriminimit, shkeljeve masovike dhe të të drejtave të njeriut”. Për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga vendet e rajonit, Rainer ka thënë se kjo ka dëshmuar faktin se këto vende i besojnë aftësisë së Kosovës për t’i kontribuar stabilitetit.Në mbyllje, ajo ka rikujtuar 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duke e cilësuar atë si “ushtrim të së drejtës për vetëvendosje të popullit gjerman”. Oratori i radhës ka qenë ambasadori i Arabisë Saudite në Holandë, Abdullah Al -Shagrud. Ai ka thënë se duke njohur pavarësinë e Kosovës, Arabia Saudite ka respektuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për të qenë i pavarur, duke i kontribuar stabilitetit në rajon.Përfaqësuesi i Arabisë Saudite ka ftuar GJND-në që të ketë parasysh faktin se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit të vendit dhe të rajonit.Në seancën e sotme, ishte vetëm Argjentina ajo që e ka kundërshtuar shpalljen e pavarësisë. Përfaqësuesja e saj, Suzana Ruiz Çeruti, e ka cilësuar deklaratën e pavarësisë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Argumentimin e saj ajo e ka bazuar në, siç ka thënë, faktin se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në harmoni me Rezolutën 1244, sepse kështu është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri tek marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”.Çeruti ka pohuar se “dokumenti nga Ramubeja nuk parasheh të drejtën e pavarësimit të Kosovës”. Përfaqësuesja e Argjentinës ka shtuar se “shkelja e të drejtave të njeriut nuk justifikon të drejtën e shkëputjes së një vendi, por vetëm rikthimin e këtyre të drejtave të shkelura”. Për dallim nga folësit tjerë, ajo ka thënë se është pikërisht GJND-ja ajo që është kompetente të vendosë për këtë çështje.”Pavarësia e Kosovës ka shkelur parimin e integritetit territorial dhe nuk është në harmoni me të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka konkluduar ajo.Janë gjithsej 28 shtete që kanë deponuar qëndrimet e tyre deri më tash, për dhe kundër deklaratës së pavarësisë. Të enjten, në seancën dëgjimore do të paraqitet fillimisht Austria, pastaj Azerbeixhani, Bahreini dhe Bellorusia.Shqipëria në GJND: Kosova, faktor stabilitetiDita e dytë e shqyrtimit të ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, shënon fillimin e paraqitjes së qëndrimeve që shtetet kanë mbi këtë deklaratë. Vendi i parë që doli në mbështetje të Kosovës ishte Shqipëria, ambasadori i së cilës në Holandë, Gazmend Barbullushi, foli për suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Ky vendim për heqjen e autonomisë, sipas ambasadori shqiptar, “u pasua me dhunë e represion nga Serbia deri në vitin 1999, duke pasur për synim spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët”.“Sot Kosova është një shtet multietnik dhe i zotuar për parimet e demokracisë. Ajo është shndërruar në një faktor stabiliteti në rajon” , tha ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Gazmend Barbullushi. Në emër të Shqipërisë, ka folur edhe eksperti Johan Frovein, i cili ka tërhequr vërejtjen se Kosovën deri më tash e kanë njohur 63 vende dhe këto “njohje nuk mund të kontestohen nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare”. Ajo që është e kontestueshme, sipas tij, “është e drejta e Gjykatës Ndërkombëtare për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.Zoti Frovein ka thënë se “edhe nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jepte një mendim negativ për shpalljen e pavarësisë, ajo nuk do të mund të ndryshonte gjendjen faktike në Kosovë”.Janë gjithsej 28 shtete që kanë deponuar qëndrimet e tyre deri më tash, për dhe kundër deklaratës së pavarësisë.