Përfaqësuesja e ministrisë së Jashtme në Berlin, Susanne Wasum-Rainer, theksoi se pavarësia e Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Qeveria në Berlin është e bindur se pavarësia e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Ndërkohë që Deklarata e pavarësisë nuk paraqet vetëm akt juridik, por edhe vullnet politik të popullit kosovar. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, për DW e quajti si të jashtëzakonshme paraqitjen e Gjermanisë. «Ishte një qëndrim dhe prezantim absolutisht impresiv, plot argumente. Natyrisht paraqitja kishte dhe një dimension të fuqizimit politik të deklaratës së pavarësisë së Kosovës», deklaroi Hyseni duke shtuar se pala kosovare pret edhe mbështetje të tjera të fuqishme të shteteve më të zhvilluara perëndimore. Në ditën e tretë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë argumentet e tyre pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës do t’i prezantojnë Azerbajxhani, Bjellorusia, Bahrejni dhe Austria. Të dy të vendet e para janë kundër, ndërsa të dy të fundit pro pavarësisë. Të mërkurën Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite kanë mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj, ndërsa Argjentina ka kundërshtuar atë, duke e cilësuar si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë. /DW/