Fluturon për Kosovën

Fluturon për Kosovën

Një fluturake e çuditshme ka aterruar të hënën e kaluar në aeroportin e qytetit Chihuahua të Meksikos. Në të dy pjesët anësore të kësaj fluturakeje, me shkronja të mëdha, në anglisht dhe spanjisht, shkruan: “Ju lutem, njiheni pavarësinë e Kosovës”. Në pjesën e pasme të saj, në të dyja anët, është vënë flamuri shtetëror i Kosovës.Fluturakja drejtohet nga piloti shqiptaro-amerikan, James Berisha. Gjatë katër javëve të ardhshme, piloti 37-vjeçar, i lindur në Brestovc të Rahovecit, do të vizitojë mbi 30 shtete të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Do të aterrojë në më shumë se 80 qytete. Porosia të cilën e bart ai me fluturaken e tij, tashmë ka zgjuar interesim në mediat meksikane.Pikërisht ky është qëllimi i tij.“James Berisha e do vendin e tij, Kosovën. Piloti ka braktisur punën për të përmbushur një mision: të rrisë vetëdijen e botës që Kosova të njihet si shtet të pavarur dhe sovran”.Kështu fillon një shkrim i gjatë për pilotin kosovar në gazetën meksikane, “El Siglo de Terroen”. “I motivuar nga kujtimet e hidhura të fëmijërisë dhe nga vuajtjet që ka parë në sytë e bashkëkombësve të vet, James Berisha fluturon për të kërkuar njohje të pavarësisë së vendit të tij”, ka shkruar gazeta tjetër meksikane, “El Heraldo de Chihuahua”, të martën e kaluar.Në të gjitha shtetet që do t’i vizitojë, Berisha ka planifikuar takime me gazetarë dhe qytetarë. “Dëshiroj që qytetarët e Meksikos të pyesin qeverinë meksikane përse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, citohet të ketë thënë ai.Gazetat lokale kanë shkruar për rrugën e gjatë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Vetëm pesë shtete të Amerikës Qendrore kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Belize, Kosta Rika, Panamaja, Peru dhe Kolumbia. Meksika ende nuk e kanë bërë këtë, ka shkruar “El Heraldo de Chihuahua”.James Berisha nuk është as politikan, as diplomat, por e ka të qartë se çfarë kërkon në këtë udhëtim të pazakontë. “Do t’i falënderoj shtetet që tashmë na kanë njohur, ndërsa shteteve të tjera do t’u them se sa e rëndësishme është për Kosovën që të njihet nga tërë bota”.Pas Meksikos, Berisha do të vazhdojë fluturimin për në Belize, Guatemalë, El Salvador, Honduras, Nikaragua, Kosta Rika, Panama, Kolumbi, Ekuador, Peru, Kili, Argjentinë, Uruguai, Paraguai, Bolivi, Brazil, Surinami, Guyana Venezuelë, Aruba, Grënada, Barbados, Saint Lucia, Dominikë, Guadaloupe, Anguilla, Puerto Rico, Republika Dominikane, Haiti, Xhamajka, Kuba, Bahamas, etj. Udhëtimin e ka nisur në Teksas të SHBA-së, ku jeton dhe punon, ndërkaq stacion të fundit ka Floridën.Para se të niset në kërkim të njohjeve për shtetin e ri, piloti ka lënë një mesazh në webfaqen: flyingforkosovo.com. “Miq të mi, familja ime, kolegë… qytetarë të shteteve dhe kontinenteve, afër dhe larg… Së shpejti do të më bartë era në këtë fluturake të vogël aeronautike drejt skajeve të largëta të Tokës. Mbushem plot gëzim kur mendoj se çfarë jam duke bërë për vendin tim, popullin tim, por edhe për veten time. Në fillim, kjo ishte vetëm një ide, por tani e kam mision. Si kosovar, amerikan dhe si qytetar i kësaj bote, premtoj se nuk do të dorëzohem!”.Avioni i tij i vogël, Cesnid 162, me katër ulëse, duhet të aterrojë për çdo 3-4 orë për t’u mbushur me karburant.Pjesën dërrmuese të shpenzimeve për këtë udhëtim të shtrenjtë, i ka mbuluar vetë. Kohëve të fundit është ndihmuar nga disa shqiptarë dhe të huaj, por kjo nuk mjafton për të arritur qëllimin e tij. Kështu thuhet në ueb faqen e tij, ku ka edhe hollësi të tjera rreth projektit “Fluturimi për Kosovën”. Dashuria e madhe për t’u bërë pilot e shtyri të emigrojë nga Kosova në Zvicër, në moshën 16-vjeçare. Aty certifikohet si pilot privat.Pas katër vjetësh, shkon në një kolegj në Sidnei të Australisë për të ndjekur një kurs intensiv të anglishtes. Secili që dëshiron të bëhet pilot, duhet të flasë anglisht rrjedhshëm.Tri vjet më vonë, në moshën 23-vjeçare, ëndrra e tij për t’u bërë pilot dhe instruktor për fluturime përmbushet në Flight Safety Academy, në Floridë të SHBA-së. Që nga ajo kohë, James ka fluturuar anekënd botës. Ai nuk është vetëm pilot. Berisha ka shkruar një libër në gjuhën angleze, “Escape from Kosovo” (Ikja nga Kosova), ku flet për fatin e familjes dhe popullit të tij nën regjimin serb, veçanërisht gjatë kohës së luftës. Babai i tij është vrarë nga forcat serbe. James përshkruan në libër udhëtimin e tij nëpër kampet me kosovarë në Shqipëri dhe përpjekjet për të gjetur anëtarët e familjes.Para fluturimit të gjatë, ai ka lënë edhe një porosi për qytetarët e Kosovës. “Do të fluturoj deri në fund të botës për juve, sepse unë jam pilot dhe kaq mund të bëj për juve. Por, ju lutem, shfrytëzoni të gjitha aftësitë tuaja për të kontribuar në forcimin e Kosovës. Së bashku do t’i tregojmë botës çfarë populli i madh jemi”. Pas këtij projekti, dëshira e tij është të kthehet në Kosovë, bashkë me mikun e tij amerikan, Howard West. Ata shpresojnë të hapin një shkollë për fluturime në Prishtinë.