UÇK pranon përfshirjen në incidentin në Bllacë, BDI reagon

UÇK pranon përfshirjen në incidentin në Bllacë, BDI reagon

“Njoftohet opinioni mbarë shqiptarë në IRJM se me datë 28.04.10. në vendin e quajtur Studenë në Karadakun e Shkupit, ku dhe ndodhej një pikë e furnizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtarët tanë hasën në një pritë nga forcat e armatosura sllavo-maqedonase”, thuhet në komunikatë. Në Komunikatën Nr. 1 të UÇK-së, thuhet se epilogu i këtij aksioni ka qenë “një i vrarë nga pala armike si dhe një i plagosur lehtën nga ushtarët e njësitit për mbështetje logjistike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”. Më tej thuhet se «ia bëjmë me dije gjithë opinionit shqiptarë se Ushtria Çlirimtare Kombëtare vazhdon me aktivitetin e saj në hapësirën shqiptare në, siç theksohet IRJM», përfundon Komunikata Nr 1 e UÇK-së. Kjo letër ka ardhur vetëm 4 ditë pas zbulimit të disa bunkerëve nga forcat speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë në afërsi të fshatit Bllacë të Shkupit ku u konfiskua një sasi e madhe armatimi. Pas këtij aksioni, edhe policia e Kosovës njoftoi se ka vënë në pranga 7 persona në rrethinën e Kaçanikut, të cilët dyshohen se kanë lidhje me incidentin ndërkufitar të datës 28 prill.
BDI ka dënuar dhunën si të papranueshme për realizimin e qëllimeve politike dhe është distancuar duke deklaruar se personat e përfshirë në tregtinë me armë nuk kanë kurrfarë lidhje me të.
Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ish- përfaqësues politik i UÇK-së ka deklaruar se është në kontakt intensiv me garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, SHBA, BE dhe NATO-n.
Ahmeti sot në Tiranë ka takuar kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, i cili pas takimit ka deklaruar se paqja, stabiliteti, integriteti i Maqedonisë janë jetike për paqen dhe stabilitetin e rajonit.