Shkëmbim zjarri pranë kufirit Kosovë-Maqedoni

Shkëmbim zjarri pranë kufirit Kosovë-Maqedoni

Në zonën kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë po rikthehen fluturimet e helikopterëve dhe prania e shtuar e njësiteve policore – ushtarake në të dyja anët e kufirit. Gjithçka ka plasur në një nga zonat e thella të kufirit midis këtyre dy vendeve, kur njësitet speciale gjatë kontrollit të terrenit janë përballur me një grup të armatosur, i cili sipas versionit zyrtar policor ka filluar të sulmojë njësitet policore. Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar incidentin, duke theksuar se pas të shtënave, personat e armatosur kanë braktisur vendin e ngjarjes.
“MPB-ja po vazhdon kërkimin e tyre dhe se nuk dihet se ata akoma janë në territorin e Maqedonisë apo kanë ikur në drejtim të territorit të Kosovës”, ka theksuar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Ministria e Brendshme me këtë rast ka gjetur edhe një sasi të konsiderueshme të armëve të kalibrave të ndryshëm, të cilët ishin fshehur në katër bunkerë special, që ruheshin nga grupi i armatosur. MPB ka bërë të ditur se grupi supozohet se përbëhej prej rreth 12 personave të armatosur, mirëpo deri tani nuk janë dhënë detaje të tjera.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e Kosovës nuk është përgjigjur zyrtarisht për incidentin, por ka theksuar se bëhet fjalë për kontrabandë armësh.
Zëdhënësi i MPB-së së Kosovës, Veton Elshani i është shmangur pyetjevelidhur me incidentin.
Mediat maqedonase të afërta me Qeverinë kanë bërë të ditur se në përleshjen me armë në kufi janë evidentuar dy persona, që sipas tyre janë arrestuar nga policia e Kosovës. Sipas tyre, bëhet fjalë për Selman C. dhe Avni R, me ç`rast ky i fundit është plagosur dhe më pas ka arritur që të ikë nga Spitali i Prishtinës, ku ishte dërguar për shërim. Nuk jepen detaje të tjera lidhur me këtë incident dhe kush janë personat të cilët kanë shtënë me armë në kufi.
Lidhur me këtë incident nuk janë deklaruar as partitë politike, ndërkohë, dy ditë më parë bashkësia ndërkombëtare nëpërmjet një deklarate të përbashkët ka shprehur brengosje për zhvillimet e situatës në Maqedoni, sidomos rreth çështjes së bllokimit të proceseve evrointegruese dhe për ngecjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. (INA)