Ministrat s’e ndjekin Shefin

Ministrat s’e ndjekin Shefin

Vendimi i kryeministrit Hashim Thaçi për dorëheqje nga posti i deputetit ka vënë në siklet vartësit e tij në Qeveri. Disa prej tyre janë duke menduar ta ndjekin shembullin e kreut të Qeverisë për të mos mbajtur poste të dyfishta, por ka ministra që nuk e shqyrtojnë fare atë mundësi, ngase mund të përfshihen në riformatizim të Qeverisë dhe mbesin pa asnjë post në institucione. Në fakt, ministrave askush nuk u ka kërkuar që të zgjedhin mes karriges në ekzekutiv dhje asaj në legjislativ. Mirëpo, vendimi i Kryeministrit i ka sfiduar në një masë ngase heqja dorë nga Kuvendi nënkupton edhe pamundësi për të marrë paga të dyfishta. Express është përpjekur t’i kontaktojë të shtunën 12 përfaqësuesit e Qeverisë që janë edhe deputetë, por shumica e tyre ose nuk janë lajmëruar në telefon ose i kanë pasur të fikur telefonat mobil. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është prej përfaqësuesve më të lartë në ekzekutiv që është duke shqyrtuar mundësinë e heqjes dorë nga posti i deputetit duke e ndjekur kështu shembullin e shefit të tij. “Jam duke e menduar një gjë të tillë”, ka thënë ai të shtunën për Express. Por, zëvendëskryeministri Ramë Manaj (LDK) nuk e ka ndërmend ta ndjekë shembullin e kryeministrit Thaçi. Manaj tha se nuk do ta lë postin e deputetit. “Vendimi për ta lënë postin e deputetit është krejt personal. Nuk mundet të vendoset si kolektiv apo si grup ministrash për këtë gjë. Unë nuk do ta lë postin e deputetit. Kushtetuta e Kosovës e ka sqaruar këtë çështje shumë mirë dhe lejon që deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare një përfaqësues i qeverisë të ketë të drejtë të jetë edhe deputet. Qytetarët na kanë votuar që t’i përfaqësojë në Kuvend dhe unë do ta bëjë një gjë të tillë”, tha Manaj për Express. Manaj tha se ministrat vendosin vetë për çështjen e lënies apo jo të postit të deputetit, andaj siç tha ai nuk mund të flas në emër të ministrave tjerë, por vetëm për veten. Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, tha se do të shikojë me kujdes këtë hap për largim nga Kuvendi dhe do të vendosë se si do të veproj. “Besoj se për këtë çështje do të kemi edhe mbledhje në parti dhe do të diskutojmë për të gjithë ministrat e PDK’së”, tha Mujota për gazetën. Sipas pikës 3 të Nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës, një deputet i Kuvendit duhet të heqë dorë nga mandati i deputetit në rast se zgjedhet ministër në qeveri. Por ky nen i Kushtetutës është lënë të respektohet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Neni 161 I Kushtetutës I cili qartëson transicionin e institucioneve thotë se dispozitat e nenit 70.3.(3) nuk do të aplikohen deri në seancën konstituive të Kuvendit paszgjedhjeve të para parlamentare pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute. Cilët janë 12 ministrat-deputetë?Zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat që njëkohësisht janë edhe deputetë janë: Hajredin Kuçi, Ramë Manaj, Skënder Hyseni, Vlora Çitaku, Fehmi Mujota, Fatmir Limaj, Adem Grabovci, Arsim Bajrami, Enver Hoxhaj, Nekibe Kelmendi, Alush Gashi dhe Mahir Yagcilar.