GJND: Franca, Jordania dhe Norvegjia mbështesin pavarësinë e Kosovës

GJND: Franca, Jordania dhe Norvegjia mbështesin pavarësinë e Kosovës

Franca i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të mos japë fare mendim rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse nuk do të ketë asnjë rëndësi praktike pasi Kosovën e kanë njohur 63 vende. Përfaqësuesja e Francës Hedvig Belliar i’u tha gjyqtarëve se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sepse ajo nuk e rregullon çështjen e secesionit. Belliar ka pohuar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar as parimin e integritetit territorial, sepse ai ka të bëjë me raportet ndërshtetërore, por jo me vende të caktuara, për të shtuar se rasti i Kosovës është ‘sui generis’, siç është çdo shpallje e pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i Jordanisë, Princi Zeid Al Husein, ambasador i këtij vendi në SHBA. Ai ka thënë se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është e drejtë sovrane e vendeve të caktuara. Princi Zeid Al Husein ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë Serbisë, ndërsa është aneksuar dhe është mbajtur me dhunë, për të shtuar se shqiptarët e Kosovës janë popull dhe u takon e drejta e vetëvendosjes, sepse, pos tjerash, përbëjnë grup kompakt në planin politik, gjuhësor dhe çdo kuptim tjetër, që jetojnë me shekuj në territorin e Kosovës.Edhe përfaqësuesi i Norvegjisë, Rolf Fife, ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës. Ai fillimisht ka përsëritur tezën që në Hagë është dëgjuar shumë shpesh, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje që sanksionohet me të drejtën ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, nuk mund të jetë në kundërshtim me të. «GJND-ja nuk ka përse të merret me integritetin territorial dhe as çështjen e vetëvendosjes, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kontradiktë me asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare», ka konkluduar përfaqësuesi i Norvegjisë, Rolf Fi./rtk/