Nga qendrat e mëdha LDK-ja ka fituar Prishtinën, AAK-ja Gjakovën ndërsa PDK-ja Ferizajn.
Në shumicën e komunave, fituesi i zgjedhjeve do të dihet vetëm pas përfundimit të rrethit të dytë të votimeve që mbahet më 13 dhjetor.
Katër qendrat e mëdha, Prizreni, Peja, Mitrovica e Gjilani janë në mesin e 20 komunave që shkojnë në balotazh.
Në Prizren dhe në Gjilan gara do të zhvillohet ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Pejë ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicionit AKR-LDD, ndërkaq në Mitrovicë ndërmjet Partisë Demokratike dhe koalicionit AKR-LDD.
Në komunat e reja me shumicë serbe, Graçanicë, Kllokot dhe Ranillug nuk do të ketë balotazh si dhe në komunën e Mamushës me shumicë turke.
Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta tha se në numërimin e rezultateve paraprake nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.
Zonja Lushta bëri të ditur se në disa qendra kanë mbetur pa u numëruar edhe disa kuti të votimit.
«Në Gllogovc nuk kemi rezultate nga 5 vendvotime, në Gjilan dhe në Fushë Kosovë nga një vendvotim, në Prishtinë nga 12, në Prizren mungojnë rezultatet nga 10 vendvotime, në Skënderaj nga 9 dhe në Vushtrri nga 2 vendvotime,» tha zonja Lushta.
«Shkaku është se ka pasur parregullsi, si p.sh. paketimi nuk ka qenë në rregull, ose kanë qenë më tepër vendbanime të populluara me serbë dhe ata fare nuk kanë dalë, ose kanë munguar raportet e këshillave të vendvotimeve. Këto do të kthehen edhe një herë në rinumërim”, tha kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.
Sipas saj, votat e panumëruara nuk pritet ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Zonja Lushta tha se këto vota do të numërohen në një kohë të shkurtër, sikurse edhe votat për asambletë komunale, ndërsa nuk ka qenë në gjendje të thotë se sa është numri i votave me kusht.
Ajo tha se rezultatet përfundimtare do të publikohen sa më shpejtë të jetë e mundur.
KQZ-ja nuk ka bërë të ditur as përqindjen e votave të fituara nga subjektet politike në shkallë vendi.
‘Parregullsi të vogla’
Kryetarja e KQZ-së në përgjithësi e ka vlerësuar të rregullt procesin zgjedhor, me disa parregullsi «të vogla».
«Po e konfirmoj se nuk ka pasur parregullsi aq të mëdha, të cilat kanë mundur të ndikojnë në rregullsinë e procesit të zgjedhjeve,» u shpreh zonja Lushta.
Në KQZ thonë se Komisionet Komunale Zgjedhore kanë raportuar për parregullsi në disa komuna dhe të gjitha ankesat do të shqyrtohen nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa.
Megjithatë asnjë subject politik deri tani nuk ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe fituesi i zgjedhjeve do të mund të dihet vetëm pas 13 dhjetorit, kur mbahet raundi i dytë i votimeve.
PDK-ja do të jetë në balotazh në numrin më të madh të komunave e pasuar nga LDK-ja dhe AAK-ja.
Vëzhguesit e huaj
Shefi i misionit të Rrjetit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ENEMO, Darko Alesov, në vlerësimin paraprak për zgjedhjet lokale të së djelës në Kosovë tha se ato përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare.
Zoti Aleksov vlerësoi edhe punën e KQZ-së, duke thënë se ky insititucion ishte përpjekur për mbarëvajtje efikase të procesit zgjedhor.
Megjithatë raporti i ENEMO-s vuri re edhe disa mangësi, si mospërputhje mes listave zgjedhore dhe regjistrit civil, vonesë në fillimin e punës të komisionit për ankesa dhe parashtresa, ku subjektet mund të ankimojnë rezultatet ose procedurat zgjedhore, si dhe përdorimin e përgjithësuar të votimit me kusht, që nënkupton votim jashtë vendit të banimit që për misionin ENEMO është «një koncept i pazakontë për zgjedhje lokale».
Raporti i misionit ndërkombëtar vëzhgues vë re gjithashtu edhe pamundësinë e një pjese të elektoratit për të votuar, por këtë mangësi e shikon tek situata e ndërlikuar politike, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për qëndrimet e serbëve lokalë.
Veç këtij misioni zgjedhjet i mbikqyri edhe një delegacion i Parlamentit Evropian, që kryesohej nga Doris Pack.
Zonja Pack dha vlerësim pozitiv për procesin zgjedhor.
«Kosova ka treguar se ka arritur nivel të pjekurisë dhe se mund të bindë disa vende të tjera që ta shikojnë pozitivisht dhe ta njohin Kosovën. Ndoshta disa presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,» tha zonja Pack.
«Sikur të ishin zgjedhje të këqija atëherë kjo nuk do të ishte e dobishme. Prandaj mendoj se ky rezultat është i dobishëm,» tha zonja Pack.
Ashtu si dhe misionet vëzhguese, edhe diplomatët e huaj në Prishtinë, kanë vlerësuar procesin zgjedhor të së djelës në zgjedhjet lokale, që ishin të parat që organizoheshin nga autoritetet vendore pas pavarësisë. /