Qeverisja PDK-LDK në Kosovë, ‘prish e ndreq’

Qeverisja PDK-LDK në Kosovë, ‘prish e ndreq’

 Koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së si duket do të vazhdoj të funksionoj, edhe pse gjykuar nga ajo që ndodhi gjatë natës së kaluar gjithçka është e mundur. Në fakt pak para mesnate duke u thirrur në burime të PDK-së, RTK-ja njoftoi prishjen e koalicionit me LDK-në dhe formimin e koalicionit të ri  PDK-AKR-LDD, madje u përcaktuan edhe emrat e bartësve të funksioneve shtetërore Behxhet Pacolli president shteti, Hashim Thaçi kryeministër dhe Nexhat Daci kryetar  Parlamenti. E gjithë kjo sipas PDK-së ka ndodhur pas zemërimit që i shkaktoi LDK-ja e cila lidhi koalicion për pushtetin lokal në Prizren me partinë e Ramush Haradinajt.“Konstatuam shkeljet e bëra nga LDK të marrëveshjes që të dilnim të vetme në zgjedhjet lokale, dhe pas këtyre konstatimeve kemi vendosur të riformatizojmë koalicionin”, deklaroi Hajredin Kuqi, nënkryetar i PDK-së.Por, këtë qëndrim PDK-ja e mbajti deri paraditen e sotme për të dal më pas me një komunikatë në të cilën ‘partneritetin e koalicionit në nivel qendror e vlerëson të konsoliduar, të pacenueshëm e funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe marrëveshjen e koalicionit deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011. Por, planet e PDK-së si duket i ka prishur AKR-ja dhe LDD-ja të cilat as që ishin në dijeni të ofertës së Thaçit. Madje Behxhet Pacolli në një deklaratë të dhënë nga Zvicra tha se Kosovës i nevojitet qeveri teknike dhe jo riformatim. Presidenti Sejdiu i cili është edhe kryetar i LDK-së nuk ka dashur të komentoj zhvillimet e natës ndërsa kryeministri Thaci thotë se valide janë deklaratat e dy partive:“Pyetni partnerët e koalicionit. Në mënyrën më të mirë të mundshme ata e kanë përgjigjen”, theksoi Fatmir Sejdiu, President i Kosovës.“Deklaratat e dy partive janë valide”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.Por, për dallim nga Sejdiu, lëvizjet natës së mbrëmshme brenda PDK-së u komentuan nga numri dy i LDK-së, Eqrem Kryeziu: “Po ka qenë një aventurë interesante”.LDK-ja sipas tij do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror, e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve të Kosovës. Por, veç kësaj LDK-ja është e vendosur në jetësimin edhe të koalicionit me AAK-në e Haradinajat që ishte edhe shkas për turbulencat gjatë natës së mbrëmshme.“LDK-ja në balotazh do të krijojë partnerë të ndryshëm lokalë sipas specifikave të secilës komunë”, tha më tej Kryeziu.Gjithë ajo që ndodhi gjatë natës në Kosovë u komentua edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë Kristofer Dell: “Mendoj se e gjithë kjo është e shëndetshme, është diçka që ndodh në një demokraci. Lëvizjet në qeveri, janë potencial për një zhvillim pozitiv”.