Pas mbajtjes së seancës për vlerësimin e ligjshmërisë së paraburgimit, sonte pritet të lirohen nga paraburgimi 22 aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”.Express ka kontaktuar me disa nga të liruarit, ndërkohë që të gjithë pritet të lirohen gjatë orëve të mbrëmjes.Naser Shatri, i cili po mbahej në Burgun e Gjilanit, tregoi për Express nëpërmes telefonit se rreth orës 16 ka marrë “një letër të thjeshtë” prej Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku shkruhej se më datë 23. 10. 2009 lirohej nga Burgu Hetues i Gjilanit. Seanca është mbajtur në Gjykatën Komunale në prani të avokatëve të të pandehurve, si dhe përfaqësuesve të EULEX-it si palë e dëmtuar në këtë proces.Seanca është udhëhequr nga gjyqtari Sali Toplica.Njëzet e një aktivistë të “Vetëvendosjes” mbahen në paraburgim që nga 25 gushti, pas aksionit në Prishtinë, me ç’rast ishin dëmtuar një numër veturash të EULEX-it.Lirim Gashi, Salih Zyba, Rron Gjinovci, Salih Mehmeti, Naser Shatri, Bujar Vocaj, Kasin Uka, Arben Nuredini, Fatmir Kurtaj, Asdren Peci, Fatmir Haziri, Ramadan Deliu, Faruk Dakaj, Frashër Krasniqi, Skënder Mërturi, Pajtim Demaj, Flamur Arifaj, Kushtrim Zeqiri, Kujtim Kosumi, Dardan Mulliqaj, Skënder Blakaj dhe Xhelal Sfeqla, i cili ishte arrestuar më vonë, i kanë mohuar veprat penale të pjesëmarrjes në grup dhe të dëmtimit të pasurisë së luajtshme, me të cilat ngarkohen.Në seancën për konfirmim të aktakuzës të mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 16 tetor, i pandehuri Xhelal Sfeçla e kishte vlerësuar si të montuar procesin. Ai po ashtu kishte kontestuar paanësinë e gjykatës.