Një aktivist i Partisë Demokratike u vra sot nga një politikan i opozitës, vetëm dy javë nga dita e zgjedhjeve parlamentare. Artan Zeka, 32 vjeçar nga fshati Qerret i rrethit të Durrësit, humbi jetën sot në orën 15.00 nga plagët e rënda që mori nga goditja me armë zjarri prej Skender Ballës, nje militant 45 vjecar i PS-së. «Ngjarja ndodhi në qendër të fshatit, në afërsi të një lokali, ku i dëmtuari dhe autori konfliktuan me njëri tjetrin për simbolet e subjekteve elektorale, flamujt dhe posterat. Më pas, autori i vrasjes, Skënder Balla, simpatizant i PS u largua për tu kthyer me një armë automatike. Ai gjuajti në drejtim të shtetasit Artan Zeka, duke e plagosur rëndë dhe më pas duke shkaktuar vdekjen e tij, në spitalin rajonal të Durrësit. Shtetasi Skënder Balla, person me precedent penal u arrestua vetëm 10 minuta pasi kreu krimin dhe iu sekuestrua edhe arma e krimit,» tha zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, Klodian Branko. Incidenti u dënua ashpër edhe nga vetë Kryeministri Berisha, lider i PD. Ai u bëri thirrje militantëve dhe aktivistëve të PD-së të distancohen nga aktet kriminale. PD do të ndërpresë fushatën në rrethin e Durrësit për 24 orët e ardhshme, për të nderuar Artan Zekën, militantin e saj të sapovrarë. Ndërkohë policia e Durrësit po merr masa që konflikti mes dy familjeve të mos shkallëzohet më tej dhe të shkaktojë viktima të tjera.