Franca do të vazhdojë ta mbështes shtetin e ri të Kosovës në rrugën e konsolidimit demokratik dhe prosperitetit. Kështu është shprehur presidenti i Francës, Nikola Sarkozy gjatë takimit me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në Paris takim ky që zhvillua në pallatin presidencial.“Ishte një takim i shkëlqyeshëm me presidentin Sarkozi. Një mbështetje e jashtëzakonshme e Francës për shtetin e pavarur, sovran e demokratike të Kosovës me të ardhme evropiane. Shpreha zotimet e qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës, se ne do të vazhdojmë me progres, do të vazhdojmë me reforma demokratike edhe në legjislacion, edhe në ekonomi, edhe në politikë, për të ardhmen tonë të sigurt europiane” u shpreh Thaçi pas takimit.Me këtë rast, presidenti francez, Sarkozy ka shprehur mbështetjen e plotë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO ndërsa ka pranuar ftesën e kryeministrit Thaçi për një vizitë zyrtare në Kosovë, vizitë kjo që pritet të realizohet gjatë vitit.Pas takimit me presidentin Sarkozy, kryeministri i Kosovës është takuar në një drekë pune edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner ndërsa ka ligjëruar në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare, CERI. Kjo është vizita e parë e kryeministrit Thaçi në Paris, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.Agim Popoci