Një gjashtëmbëdhjetëvjeçare nga komuna e Gjakovës, ka humbur jetën të dielën pasdite, derisa ishte duke punuar në arën e saj. Sipas policisë, ajo është goditur nga rrufeja. Me kërkesë të familjarëve, zyrtarët e policisë nuk tregojnë identitetin e viktimës.“Rrufeja e ditës së diel ka lënduar për vdekje 16-vjeçaren, derisa po punonte në ara. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë ligjore, ndërsa policia po vazhdon ta hetojë rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.Përveç kësaj, të njëjtën ditë, nga stuhia e papritur që ka përfshirë disa pjesë të Kosovës, breshëri i përcjellë me rrufe, ka mbytur edhe një tjetër femër në liqenin e Batllavës. Në atë moment, viktima ka qenë duke u shëtitur.“Një femër gjersa ishte duke shëtitur, ka rënë aksidentalisht dhe është fundosur në liqenin e Batllavës. Nga mjeku kompetent është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në njoftimin e policisë, ku shtohet se trupi i është dërguar për obduksion.Por shiu i përcjellë me bubullimë, rrufe dhe reshje të mëdha të breshrit, ka shkaktuar edhe shumë dëme materiale edhe në kulturat bujqësore. Rajoni i Gjilanit ka pësuar më së shumti në këtë rast, ku vlera e dëmeve, të hënën është vlerësuar të jetë rreth 3 milionë euro. Zyra për informim e Komunës së Gjilanit, bën të ditur se Komuna ka vendosur për themelimin e një fondi emergjent. Ata i kanë bërë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës që t’iu dalë në ndihmë.Kjo zyrë ka sqaruar se dëmet kryesisht janë bërë në pullazet e shtëpive, fasadat, dritaret e shtëpive, automjetet, po ashtu dhe në ekonominë bujqësore.“Shkaku i breshrit të ditës së diel, i cili nuk mbahet mend, institucionet komunale të Gjilanit nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa, po atë natë kanë mbajtur takim të jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim.Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të policisë, qendra për menaxhim të emergjencave dhe përfaqësues të emergjencave të tjera, kanë marrë vendim që të formohet një fond emergjent i donatorëve për të ndihmuar këtë fatkeqësi.Ky vendim ka ardhur pasi katër ekipe kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se dëmet e shkaktuara nga breshri i ditës së diel, në këtë komunë, kalojnë shifrën prej 3 milionë eurove.Pasi, Komuna ka shprehur këtë gatishmëri, kryetari i saj, Qemajl Mustafa, i ka bërë ftesë edhe Qeverisë Kosovës dhe të gjithë atyre që mund të ndihmojnë familjet dhe individët që kanë pësuar nga breshëri i ditës së diel.Në të njëjtën ditë, reshjet e mëdha të breshrit kanë goditur edhe rajonin e Skenderajt, ku për pesë minuta, dëmet në kulturat bujqësore kanë rezultuar të jenë shumë të mëdha./GAZETAEXPRESS/