Me kalimin e Haki Shatrit në AAK, koalicioni qeveritar ka mbetur me një deputet më pak. Kjo nuk çon peshë për Kryeministrin Hashim Thaçi. Ai thotë se e ka shumicën e plotë në Parlamentin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që njëherësh është edhe kryetari i PDK-së, deklaroi të hënën se nuk i frikohet lëvizjeve të individëve nga njëra parti në tjetrën, derisa u shpreh i bindur se mazhoranca në Kuvend është e paluajtshme. Kryeministri kosovar tha se koalicioni qeverisës (PDK-LDK) është i sigurt, ndërsa vetë tha se është i prirë që t’i drejtojë proceset shtetformuese. “Kemi mazhorancën e plotë në Parlamentin e Kosovës. Unë jam i koncentruar në kryerjen e obligimeve të mia shtetërore, dhe jo në angazhime të ngushta të interesit partiak, dhe ftoj gjithë lidershipin që të angazhohet në këtë proces shtetndërtues, në mënyrë që të vazhdojmë me kultivimin e dinjitetit tonë kombëtar, shtetëror, politik dhe qytetar”, ka thënë Thaçi, raporton KosovaLive. Ai gjithashtu kundërshtoi deklarimet e partive të opozitës se po bënë fushatë të parakohshme zgjedhore me mbjelljen e fidanëve nëpër komunat e Kosovës. “Projekti një banor një fidanë, është projekt shtetëror…, është një projekt i gjithë qytetarëve. Nuk ka gjelbërimi baza partiake, është në interesin e shëndetit të të gjithëve”, tha Thaçi, sipas të cilit, për dikë është e panjohur kjo dukuri. “Andaj i ftoj të gjithë që të zbresin në tokë, sidomos lidershipin, të shkëputen nga deklarimet e thata politike, por të punojnë. Unë vazhdoj punën time me prioritet dhe angazhime të tjera, angazhime që ndërlidhen drejtpërdrejt me interesat e çdo qytetari të Kosovës”, u shpreh Thaçi. Kryeministri ka ftuar kritikuesit e këtij projekti që të mbjellin e ata nga një pemë sepse është në interesin e tyre”, tha ai.Ndryshe, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të AAK-së, të hënën, ish-deputeti i LDK-së, Haki Shatri, është zgjedhur anëtar i Kryesisë në partinë e Ramush Haradinajt. “Me vdekjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar dhe po vazhdon të bie, në kohën kur duhet të bëhen përpjekje për t’u rimëkëmbur për të vazhduar më tutje”, ka thënë Shatri pas aderimit zyrtar në AAK.“Nuk ka qenë e lehtë të bëhet një kalim pas një angazhimi gati 20 vjet, mirëpo inkuadrimi në AAK ka qenë lehtësi, përvoja ime në punën e qeverisjes Haradinaj dhe më vonë në kuadër të koalicionit ka qenë përparësi”, ka shtuar ai. Ai përmendi edhe faktin se kalimi i tij në këtë subjekt politik ka të bëjë edhe me programin politik të AAK-së, që sipas tij është shumë i përafërt me atë të LDK-së në kohën e ish-presidentit Rugova. “Pakënaqësia ime në LDK, vjen në kohën kur në zgjedhjet e fundit kishte një rënie drastike dhe mosveprimi për rimëkëmbjen e kësaj partie, më ka bërë shumë të shqetësuar dhe nga kjo vjen edhe mungesa e hapësirës për të vepruar”, tha ai.Ardhja e tij në AAK është bërë pas disa negociatave që ka zhvilluar me Ramush Haradinajn. I pyetur lidhur me situatën në LDK, Haradinaj tha se nuk i takon atij të deklarojë se kush e ka shkatërruar LDK-në, mirëpo sipas tij, vdekja e presidentit Rugova dhe zhvillimet që kanë pasuar, pazotësia e lidershipit për ta aftësuar partinë për zgjedhjet e ardhshme, do të thotë një lloj dorëzimi në gjendjen e tanishme. /GAZETA EXPRESS/