VDES “I PAVDEKSHMI” MICHAEL JACKSON

VDES “I PAVDEKSHMI” MICHAEL JACKSON

Ende nuk është bërë ndonjë konfirmim zyrtar rreth vdekjes së tij, megjithëse, thuhet Jackson pësoi një sulm kardiak në shtëpinë e tij në LA. Gazeta “Los Angeles Times” ka bërë të ditur se këngëtari është lajmëruar i vdekur nga doktorët pas hospitalizimit të tij në gjendje të thellë kome. Jackson kishte planifikuar të fillojë një sërë koncertesh në Londër, të cilat do të shënonin rikthimin e tij për herë të fundit në skenën muzikore. Këngëtari i cili njihet për hite të tilla, si: “Thriller” dhe “Billie Jean”, ka dy muaj që po ushtronte në Los Angeles. Biletat e koncerteve në Londër ishin shitur brenda vetëm disa orëve. Turneu “This is it”, i cili parashihej si i fundit për ikonën Jackson, ishte paralajmëruar si mrekullia që po të ndodhte do të ishte diçka të cilën bota nuk e ka parë më herët. Lajmi për vdekjen e Michael Jackson-it është shpërndarë shumë shpejt gjithandej botës. Sipas komentimeve të njerëzve të afërt të Jackson-it të transmetuara në dy kanalet televizive CNN dhe BBC, thuhet se sulmi kardiak që pësoi këngëtari mund të ketë ardhur si rezultat i stresit të thellë për rikthimin triumfal të tij, i cili parashihej të mbahej vetëm tri javë para se Jackson të ndërronte jetë. Një nga njerëzit e afërt të Jackson-it, Uri Geller, në një intervistë për CNN-in, tha se bota ka parë tri ikona të muzikës, dy nga të cilat tashmë i humbi: Elvis Presley-n dhe Michael Jackson-in. Tani ka ngelur vetëm Madonna, përfundoi Geller. Këngëtari i lindur në Gary të Indiana-s, nga prindërit Joseph dhe Katherine, ishte fëmija i shtatë nga nëntë fëmijë. Karriera e tij filloi qysh në fëmijëri me bendin “The Jackson 5”, i cili gjithashtu përbëhej nga vëllezërit e tij: Jackie, Tito, Jermaine dhe Marlon. Në vitin 1971, Jackson filloi karrierën e tij si solo artist me këngën “Got to Be There”, e cila menjëherë u bë hit. Karriera e tij arriti kulmin në vitet ’80, kur ai u bë një figurë dominuese në botën e muzikës. Disa prej albumeve të tij kanë shënuar edhe rekord shitjeje. Për sa i përket jetës së tij personale, ai ka qenë i martuar me vajzën e Elvis Presley-it, Lisa Marie Presley, martesë kjo e cila zgjati më pak se dy vjet. Vetëm 10 muaj më vonë, Jackson u martua me gruan e tij të dytë, Deborah Rowe. Ajo martesë zgjati plot tri vjet. Jackson ka tre fëmijë të quajtur: Paris Michael, Prince Michael I dhe Prince Michael II. Këngëtari ka jetuar i vetmuar dhe i izoluar që nga viti 2005, kur u akuzua për ngacmim seksual të fëmijëve. Ka disa vite që njerëzit janë brengosur për shëndetin e Jackson-it, por promotorët e koncerteve në Londër, thanë se në muajin mars këngëtari ka bërë një ekzaminim fizik 4 orë e gjysmë me doktorë të ndryshëm, të cilët kanë konstatuar se ai është në gjendje të mirë për të performuar. Edhe adhuruesit e Michael Jackson-it vajtuan vdekjen e tij të papritur duke ndezur qirinj jashtë shtëpisë së tij në lagjen “Holmby Hills” në Los Angeles. Ata filluan të grumbullohen para shtëpisë së tij vetëm pak kohë pasi që dëgjuan lajmin për vdekjen e 50 vjeçit, i cili ndryshe njihet si “Mbreti i muzikës pop”. Sot në mëngjes janë bërë të ditura pak detaje rreth shkakut të vdekjes së këngëtarit. Si duket Jackson me të arritur në spital ishte pavetëdije dhe nuk merrte frymë. Pavarësisht përpjekjeve dhe intervenimeve të shumta, doktorët nuk kanë pasur mundësi t’i shpëtonin jetën. Vdekjen e Michael Jackson-it e kanë përjetuar dhe komentuar edhe të famshmit e shumtë nga bota e muzikës, filmit, modës, sportit, politikës, etj. Ndonëse ende është duke u pritur rezultati zyrtar i autopsisë nga mjekët e spitalit të Los Angeles-it, ende nuk është folur për funeralin e ikonës së pop muzikës. Megjithëse, pa dyshim, funerali i tij pritet të jetë më spektakolari që ka parë ndonjëherë njerëzimi.