Pak minuta pas orës 12:00, është shpuar muri i fundit në mes të tunelit, duke nisur kështu një histori të re për shqiptarët. Bashkimin e dy anëve të tunelit që lidh Thirrën e Fanit me Kalimashin e Kukësit, dhe lidh Kosovën me Shqipërinë – përmes autostradës, e ka bërë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërkohë që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në anën tjetër. Të dy Kryeministrat, të shoqëruar nga delegacionet e tyre, kanë shtrënguar duart dhe janë përqafuar brenda në tunel. Ata kanë uruar për këtë arritje të madhe, jo vetëm infrastrukturore.Kryeministri Sali Berisha tha se sot po përjetohet realizimi i njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve. ”Përjetuam shembjen jo të një muri, por të një mali. Përjetuam shembjen jo të një muri, por të pamundësisë. Sot, bashkë me Kryeministrin e Kosovës inauguruam tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Europë dhe me gjerë», tha Berisha“Ky tunel, para së gjithash, është tuneli i bashkimit të kombit”, u shpreh ai, i emocionuar.”Sot vendosëm se nuk ka male, se nuk ka pengesa, se nuk ka asgjë që mund ta ndajë jo vetëm shpirtërisht, por as fizikisht këtë komb”, tha Kryeministri i Shqipërisë.Tuneli ka qenë i kushtueshëm, shtoi Berisha, por vlera e tij është shumë herë më e vogël se çmimi moral i tij dhe shërbimi që u bëhet njerëzve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë. Kryeministri shqiptar theksoi se autostrada që do të lëshohet në funksion të plotë në fund të muajit qershor, ua afron brigjet detare të Shqipërisë shqiptarëve të Kosovës, por edhe vendeve të tjera të rajonit. Ai e ka mbyllur fjalimin e tij me zotimin se qeveria e tij se “nuk do të lerë mal pa shembur, asgjë pa bërë në mënyrë që shqiptarëve t’ua japë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës”.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përgëzuar Kryeministrin Sali Berisha për këtë punë që ai e quajti të mrekullueshme.“Sot, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më parë pranë njëra-tjetrës dhe do të afrohemi edhe më tej. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë. Kemi qenë të ndarë me shekujt, por kurrë nuk kemi qenë larg njëri-tjetrit… Na ka ndare historia, padrejtësia, na ndanin bjeshkët dhe malet. Sot, të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar më punë, vullnet, ideal, vizion. Kjo është rruga e bashkimit”, ka thënë Kryeministri Thaçi.Thaçi kujtoi kohët kur ai dhe bashkëluftëtarët e tij është dashur ta bëjnë këmbë dhe nëpër mot të keq rrugën e vështirë nëpër male.“Bashkërisht kemi thyer pushtues, e bashkërisht do të thyejmë çdo mal që do të na dalë përpara”, u shpreh ai.Thaçi theksoi se kjo rrugë i jep shtytje zhvillimit të shumanshëm të dy vendeve. “Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, kjo është rruga e paqes dhe stabilitetit në rajon”.Ai premtoi se “për një shumë të shkurtër”, autostrada do të vazhdojë të ndërtohet edhe në pjesën e Kosovës.Sipas ekspertëve të ndryshëm, rruga e re Durrës – Prishtinë shkurton në mënyrë të ndjeshme edhe distancat e transportit në krahasim me rrugët ekzistuese dhe krijon kushtet, për një lëvizje me shpejtësi 80 deri 100 km/orë. Në 30 vitet e fundit, sfida më e madhe e infrastrukturës, Durrës-Kukës pritet të përfundojë një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, më 27 qershor. Parashihet që deri në këtë datë të shfrytëzohet vetëm njëra anë e rrugës pas hapjes së tunelit.