Tragjedi e familjes 9-anëtarëshe kosovare në Kroaci

Tragjedi e familjes 9-anëtarëshe kosovare në Kroaci

Mediat kroate bëjnë të ditur se në mesin e viktimave është një fëmijë njëvjeçar, kurse edhe në mesin e të lënduarve tre janë fëmijë.Familja jeton në Gjermani dhe faktikisht është përgjysmuar në këtë fatkeqësi trafiku e cila ndodhi të shtunën pak para orës 8 në mëngjes në autostradën A-1 në Pirovac në drejtim të Zagrebit.Fatkeqësia ndodhi në momentin kur Mehdi Haxhiu, 59-vjeçar, ngasës i VW-transporter, nga arsye ende të pakonfirmuara zyrtarisht, befasisht humbi kontrollin ndaj veturës. Ai u kthye përnjëherë djathtas, kaloi shtyllën ndaluese dhe me një shpejtësi të madhe shpoi rrjetën mbrojtëse dhe pas disa rrotullimesh u ndalua mbi disa gurë rreth 100 metra afër autostradës. Katër anëtarë të familjes Haxhiu vdiqën në vend, prej të cilëve ngasësi, një fëmijë njëvjeçar, një grua dhe një burrë tjetër identitetin e të cilëve pritet që ta zbulojnë anëtarët tjerë të familjes, përderisa pesë anëtarë të tjerë, tre fëmijë në moshë prej 9-10 vjet dhe bashkëshortët Aishe (49) dhe Kadri (56) morën lëndime të rënda dhe u dërguan në repartin e Kirurgjisë së Mjekësisë së Përgjithshme në Shibenik. Pas lajmërimit për këtë fatkeqësi të madhe dhe numri të madh të personave të vdekur dhe të lënduar, në Repartin e Kirurgjisë në Shibenik e paraprakisht në Urgjencë mbretëroi gjendje e jashtëzakonshme dhe stafi mjekësor përgatitej për pranimin e të lënduarve. “Kemi pranuar dhe operuar pesë pacientë prej të cilëve një grua është në gjendje kritike për jetën”, tha mjeku Ivica Madzar, transmeton EPEHA. Pacientët e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë. Pas lajmit për fatkeqësinë, në vendin të ngjarjes thuhet se kanë dalë shpejt pjesëtarët e policisë të quajtur “Kobra”. Sipas medieve kroate, intervenimi i tyre i shpejtë, dhe përcjellja me urgjencë e të lënduarve duke ndezur dritat e rotacionit, bëri që të shpëtohen jetët e tre fëmijëve të lënduar.