Thaqi riformatizoi kabinetin e tij qeveritar

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se ky riformatizim afirmativ është vendim për fuqizimin e vlerave angazhuese për të ardhmen evropiane, ngase edhe Qeveria e Kosovës është qeveri reformatore dhe integruese.“Unë e kam theksuar gjithmonë se duhet mësuar njerëzit me demokraci. Kësaj radhe edhe njerëzit që dëshirojnë të merren me të kaluarën. Ky riformatizim afirmativ është vendim për fuqizimin e vlerave tona angazhuese për të ardhmen tonë evropiane. Qeveria e Kosovës është qeveri reformatore, është qeveri e integrimit, e hapjes dhe e perspektivës së sigurt për qytetarët e vendit. Ne kemi shënuar suksese historike në këto dy vitet e fundit. Në kuadër të ndryshimit të realiteteve për të mirë janë rritur kërkesat e nevojave të qytetarëve, por edhe të vetë institucioneve tona për afirmim të mëtutjeshëm. Prandaj të gjitha personalitetet që janë integruar tani më në qeveri, janë personalitete të zotuara për të punuar për të ardhmen e përbashkët shtetërore dhe mbi çdo interes të ngushtë lokal apo partiak”, ka thënë Thaçi.Ai ka lavdëruar të gjithë ministrat që tash e tutje nuk do të jenë pjesë e Qeverisë, duke thënë se të arriturat e këtij kabineti të deritashëm janë të papërsëritshme dhe pjesë e këtij suksesi është tërë ekipi qeveritar.“Gjithë ministrat që kanë punuar meritojnë mirënjohje. E di se është ndoshta jo shumë me përvojë të madhe këto vendime në Kosovë. Por, unë jam kryeministër i Kosovës i zgjedhur nga qytetarët e Kosovës dhe marr vendimet që janë në interesin e vendit, vendimet më të mira të mundshme, sepse nuk kam qenë i kushtëzuar nga askush dhe vendimet janë të vullnetshme edhe kur janë emëruar ministrat kanë qenë vendime të vullnetshme dhe të përgjegjshme. Edhe sot janë vendime të përgjegjshme, të vullnetshme dhe në mandat të plotë me autoritetin kushtetues dhe legjitimitetin qytetar”, është shprehur kreu i ekzekutivit.Ai ka përmendur vazhdimin e luftës kundër korrupsionit me tolerancën zero, ndërkaq ka lavdëruar Qeverinë që drejton, duke thënë se kjo qeveri ka qenë bartëse e të gjitha proceseve afirmative në Kosovë.“Qeveria e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë bartëse e proceseve afirmative, prandaj edhe vendimi sot është vendim i një riformatizimi afirmativ për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në punë. Por zotimi i Qeverisë dhe imi personal do të jetë për zero tolerancë për korrupsionin kudo që paraqitet në të gjitha sferat institucionale dhe shoqërore në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.Në kuadër të riformatizimit, kryeministri ka vendosur për formimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, e cila do të drejtohet nga Besim Beqaj, ndërkaq do të ketë dy zëvendësministra, të cilët do të dihen në ditët në vijim se kush do të jenë.LDK ndërron Kelmendin, Gashin e BeqirinKryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës miratoi sot ndërrimin e tre ministrave të saj në Qeverinë e Kosovës.Kryesia e LDK-së ka miratuar kërkesën e kryeministrit Hashim Thaçi për shkarkimin nga pozitat ministrore të ministrit të deritashëm të Shëndetësisë, Alush Gashi; asaj të Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe ministrit të Kulturës, Valton Beqiri. Në vend të tyre janë propozuar tre emra të tjerë: Bujar Bukoshi do të udhëheqë Shëndetësinë, Haki Demolli – Drejtësinë dhe Lutfi Haziri – Kulturën.Vendimi është marrë sot në mëngjes nga Kryesia e LDK-së, e cila nuk ka debatuar, por vetëm e ka miratuar kërkesën e kryeministrit Thaçi për ndryshimin e ministrave. Anëtari i Kryesisë, Salli Asllanaj, tha se vendimi nuk është marrë nën diktatin e Hashim Thaçit, por është miratuar si kërkesë për ndryshime pozitive në qeverisje.Haziri: Kritika ndaj Qeverisë mbetet pjesë e punësNënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i njohur si njëri nga kritikët më të ashpër të Qeverisë Thaçi, sidomos gjatë fushatës së fundit zgjedhore, thotë se do ta pranojë postin e ministrit të Kulturës, nëse ajo i ofrohet.“Unë jam njëri nga emrat që nëse LDK-ja me jep mandatin, që natyrisht jam i gatshëm me udhëheq detyrën”, ka thënë Haziri, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së. Lidhur me akuzat që vazhdimisht ka bërë ndaj kabinetit qeveritar, Haziri tha se edhe në të ardhmen kritika do të mbetet pjesë e punës, përderisa nuk arrihet misioni politik i LDK-së. “Unë do të vazhdoj me kritiku, për të gjithë ato pika që unë mendoj dhe LDK-ja kërkon të ketë përmirësime dhe angazhime konkrete. Kritika ka me mbet pjesë e punës, përderisa nuk arrihet misioni politik i LDK-së”, tha Haziri, transmeton KosovaPress.