Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi tha se marrëveshja e re shqiptaro-maqedonase e propozuar nga vet ai do të kalojë për miratim në strukturat drejtuese të partisë dhe njëherit kjo marrëveshje do të jetë edhe platforma e PDSH-së. Thaçi tha se qëllimi i këtij dokumenti është preventiva për pengimin e shpërbërjes së maqedonisë. «Qëllimi kryesor i këtij dokumenti është preventiva, parandalimi i asaj që Maqedonia mund të shpërbëhet. Një ndër propozimet është deetnizimi i simboleve shtetërore, shtet multietnik duhet të ketë simbolika qoftë flamur, stemë, himn e kështu me rradhë, decentralizim i vërtetë, riorganizim territorial i pushtetit lokal që duhet t’i përmbushë qëllimet apo parametrat demokrafik, gjeografik, parametrat e ndryshëm deri tek ndarja e vërtetë e buxhetit në aspektin edhe rajonal por edhe në aspektin e qytetarëve por edhe shumë çështje tjera.», tha Menduh Thaçi. Thaçi tha se marrëveshja e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk çon shtetin drejt federalizimit. «Nuk çon deri te federalizimi, insiston multietnicitet, e di se do ketë njerëz që mundohen të na etiketojnë në këtë drejtim, duhet të jemi të sinqert, unë pranoj botërisht para shqiptarëve se bëj kompromis, dihet cilat janë qëllimet e shqiptarëve, ky kompromis bëhet vetëm për një qëllim, respektimi i paradigmës europiane për Maqedoni multietnike, faza tjetër mund të jetë fazë ë injorimit total nga të gjithë faktorët. Unë po paralajmëroj se nëse refuzohet kjo preventivë e fundit, atëherë kapacitetet dhe energjitë e shqiptarëve në Maqedoni do të jenë për krijimin e shtetit shqiptar në Maqedoni. Ato etiketat tjera bashkim me Shqipërinë do të bien.», shtoi Thaçi. Ai tha se përpos me këshilltarët e tij, ai është në kontakt të vazhdueshëm edhe me faktorin ndërkombëtar për të njoftuar lidhur me propozimin për marrëveshjen mes shqiptarëve dhe maqedonasve. /alsat-m/